Shumë vite pritje, shumë vite diskutim dhe më në fund duket se ka ardhur momenti që të merret seriozisht puna për ndërtimin e muzeut sportiv në Shkodër. Ky qytet duhet ta ketë një objekt të tillë për vetë historinë dhe traditën që ka me sportin. Bashkia Shkodër duket se e ka marrë shumë seriozisht këtë herë një gjë të tillë teksa puna në letër ka nisur dhe jo vetëm.

Një inisiativë për t’u përgëzuar e nënkryetarit Rudi Beka i cili ka marrë përsipër ta bëjë realitet një premtim të tillë dhe si rrjedhojë ka nisur nga puna. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga një postim i bërë në faqen zyrtare të Bashkisë ku shkruhet:

“Një projekt i shumëpritur për Shkodrën dhe sportin shkodran ka marrë rrugë: Muzeu i Vllaznisë nuk është më vetëm një ide, por një iniciativë konkrete që ka nisur hapat e parë drejt realizimit.


Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, z. Rudin Beka, zhvilloi takimin e parë konsultativ me figura të njohura të sportit dhe gazetarisë sportive, të cilët do të jenë pjesë e këtij procesi për ndërtimin e një hapësire dinjitoze që do të ruajë historinë, kujtimet dhe lavdinë e klubit legjendar kuqeblu në të gjitha disiplinat. Shkodra, djepi i sportit shqiptar, do të ketë më në fund një muze në nderim të Vllaznisë krenarisë së qytetit prej më shumë se një shekulli”.