Volejbolli shkodran në vite ka nxjerrë nga rradhët e tij lojtarë shumë të talentuar por në fakt numri i trofeve të fituar nuk është dhe aq i madh.

Ka vetëm një titull kampion të fituar, atë të sezonit 2016-2017, ndërkohë që janë fituar edhe gjashtë Kupa të Republikës, konkretisht në vitet 1969, 1970, 1973, 1985, 1988 dhe 1989.

Duke u ndalur tek kupat e fituara, tre të parat janë arritur nga një brez shumë i mirë lojtarësh ku përmenden Ali Bushati, Tonin Fistani, Sander Paloka, Viktor Jubani, Mark Grimci, Zef Toska, Agustin Gjoni e më pas edhe Irfan Boriçi.

Por sakaq, në fundin e viteve ’70 në skenë do të dilte një brez tjetër lojtarësh të cilët fituan tre kupa të tjera, por në fakt duhej të kishin fituar më shumë, por kuptohet që konkurrenca e atyre viteve ka qenë shumë e madhe.

Në ekipin e drejtuar nga trajneri Mark Grimci, krahas disa lojtarëve me përvojë, u afruan edhe disa të rinj duke krijuar kësisoj një ansambël shumë interesant.

Për të evidentuar këto lojtarë, sot kemi evidentuar një foto të vitit 1980 ku dallohen qartë të gjithë protagonistët e atyre viteve dhe konkretisht, Simon Guga, Irfan Boriçi, Viktor Miri, Fatmir Gruda, Mark Kroqi, Adnand Boriçi, Irfan Domnori, Adrian Shiroka, Gjon Çoba, Gjino Mjeda si dhe trajneri Mark Grimci.
Gjergj KOLA