Nga Defrim Methasani

Momenti i shumëpritur po vjen. Në mbrëmjen e së shtunës, me 7 dhjetor në Shtutgard, mijëra njerëz në arenën e madhe sportive të boksit, por edhe miliona të tjerë përmes ekranit, do ngulin sytë në ringun e jetës.

Në një ring ku një ndeshje vlen më shumë se një titull kampion. Djaloshi shqiptar Ismail Keta do të ngjitet në ring përballë tajlazndezit të famshëm, rivalit të drejpërdrejtë për titulli, në nj betejë shumë të ashpër sportive. Keta duhet të fitojë, jo thjesht për karrierën e tij, që do ta dërgonte në tre numrin e titujve si Kampion Bote në këtë sport, por edhe për misionin e tij human dhe shumë fisnik. Ismail Keta, djali nga Buqliza, që jeton prej 17 vitesh në Gjermani, ndërmori një hap të tillë, kur mori lajmin e sëmundjes së rëndë të Ambra Medës, vajzës 17-vjeçare nga Tirana. Ajo vuan nga tumorri mbiveshkor dhe sëmundja e saj e rëndë quhej “tumor i fshehtë” dhe kërkonte një kurim që kalonte kufijtë e 200 mijë eurove. Familja dhe të afërmit mblodhën shumën e mundshme, por duheshin shumë para të tjera. Atëherë Ismaili vendosi bashkë me vëllain e tij, të dilnin në ring, jashtë planit, por brenda një dëshire; që të ndihmonin për jetën e Ambrës. Pas ndeshjes së Gjetanit( vëllai i Ismailit, që garon në sportin e boksit profesionit) dhe fitores së tij përballë rumunit në boks, teë ardhurat shkuan te spitali, bashkë me të ardhurat që mblodhën shqiptarët anë e mbanë. Ky gjest i emocionoi pa masë mediat gjermane, që bënë kronika dhe sensibilizuan opinionin gjerman. Atëherë bashkia e Mynihut dhe shteti gjerman morën përsipër shumën financiare për shërimin e plotë të Ambrës. Por Ismaili kishte dhënë fjalën dhe nuk kthehet mbrapsht. Atëherë duhej një tjetër gjest i tij dhe vendosi që të ardhurat e kësaj ndeshjeje të shkojnë për balerinën 22- vjeçare, Sigi Gjini, e cila ndodhet në koma në Gjermani, pas një aksidenti që ajo bëri në Tiranë me makinë. Pra dueli i Ismail Ketës në ring, tashmë ka përmasa jo vetëm sportive, por humane dhe njerëzore. Ai lufton jo për karrierën e tij, as për lavdinë, por për jetët e Ambrës dhe të Sigit, mbi të gjitha për mesazhin e madh të paqes, humanizmit dhe solidaritetit, që duhet të karakterizojë çdo shqiptar dhe çdo njeri. Ismail Ketës nuk i bën shumë punë një dorë e ngritur lart nga gjyqtari, që natyrisht do ta dëshironim të gjithë. Ai e ka fituar këtë sfidë, sepse edhe nëse e humb këtë takim final (që nuk e dëshironim kurrë), për ne të gjithë ai është fitues. Ai fiton betejën për jetën dhe të fitosh këtë, natyrisht që je kampion moral. Ai iu dha zemër, jo vetëm Ambrës dhe Sigit, familjeve dhe të afërmve të tyre, por shqiptarëve ju tregoi se kur jemi bashkë ne bëjmë mrekullira. Sëmundja nuk luftohet vetëm me ilaçe, por edhe me vyrtyte, cilësi dhe karakter. Ndaj vëllezërit Keta, Ismaili dhe Gjetani, janë tashmë në çdo zemër shqiptare. Unë do të shkoj në Shtutgard dhe do të jem pranë tij, si mijëra shqiptarë që mezi presin “luftën” e tij në ring. Por unë do të jem pranë tij edhe për t’i thënë një “faleminderit” të madhe në emër të shumë njerëzve, që nuk e kanë këtë mundësi. Ai është ambasadori ynë atje dhe jo vetëm atje, por kudo ku jetojnë shqiptarë. Ai ka gdhendur monumentin e mirënjohjes dhe të solidaritetit, ka gdhendur shpirtin që flet shqip në mes të Europës, për të treguar se nuk ka vetëm shqiptarë që bëjnë punë të pista, por ka djem shqiptarë që japin leksion shoqërisë gjermane, europiane dhe asaj botërore. Vëllezërit Keta prej vitesh janë kthyer në një model në Mynih dhe në Gjermani, jo vetëm si kampionë, por edhe si misionarë, si ambasadorë të humanizmit dhe solidaritetit në momente të vështira të jetës. Ata sot gëzojnë respektin e të gjithëve dhe urojmë që edhe ajo mbrëmje e madhe, e 7 dhjetorit, pas ditëlindjes së 37-ë të Ismail Ketës në jetë, të risjellë një tjetër gëzim, tashmë jo vetëm për atë vetë si kampion, por për miliona shqiptarë që kanë mendjen dhe zemrën te shpirti dhe forca e tyre. Kampion, ti je i tillë, akoma pa e fituar ndeshjen, sepse ti je kampioni që dhuron jetë njerëzore.