Nga Endri ÇINARI

Vllaznia nuk shkoi më larg se një barazim në shifrat 0-0 në duelin e javës së 29-të kundër Tiranës. Një 90 minutësh që në përgjithësi tregoi një lojë të dobët të kuqebluve, që thuajse asnjëherë nuk u imponuan ndaj bardhebluve. Me këta të fundit që ishin më kërkues, por pa arritur që të thyenin shkodranët. Që gjithsesi nuk humbasin sërish dhe zgjasin serinë e rezultateve pozitive.

Por ajo që ra në sy ishte fakti që Vllaznia mbajti sërish portën e paprekur. Duke treguar një rritje në repartin e mbrojtjes. Kështu pas ndeshjes me Partizanin të fituar në shifrat 2-0, 9 herë kampionët e vendit mbajtën sërish 0 në portën e mbrojtur nga Jukaj. Kjo është hera e dytë këtë edicion ku ekipi i Brdariç mban portën e paprekur në dy ndeshje rradhazi, shkruan shkodrasport.com

Më parë kjo kishte ndodhur në kampionat në ndeshjet e javës së 24-ët dhe 25-të, ku Vllaznia fitonte 3-0 ndaj Bylis dhe barazonte 0-0 ndaj Dinamos. Mos pësimi i golave tregon se kuqeblutë po i kushtojnë një vëmendje më të madhe repartit të mbrojtjes, që këtë sezon ka qenë një pikë e dobët. Me shkodranët që kanë pësuar 32 gola në 29 javë deri më tani.

Por në javët e fundit, ekipi ka treguar rritje në aspektin difensiv. Dhe një performancë të tillë duan ta vijojnë deri në përfundim të sezonit, ku tashmë ndeshjet sa vijnë e vështirësohen.(www.shkodrasport.com)