Nëse dikush tjetër mund të gjejë sportistë të tjerë me arritje kësisoj ndërkombëtare si këta të “Pesëshes sime”, do ta mirëpres. Por kur mendoj se sa të pakta qenë arritjet e Shqipërisë gjatë 2018-ës, unë për vete gjeta vetëm këta:

1. Briken Calja: I pari peshëngritës në historinë e Shqipërisë, i cili u shpall Kampion i Europës në të tri stilet: tri medalje të arta në shkëputje me 146 kilogramë, në shtytje me 175 kg dhe 321 kg në dygarësh. I arriti këto në Kampionatin Europian 2018 në Bukuresht të Rumanisë.

2. LUIZA GEGA: Kampione e Lojërave të 18-ta Mesdhetare në 3000 metra me pengesa (.9.27.73). në Tarragona të Spanjës. E katërta në Kampionatin Europian të Berlinit po në 3000 metra me pengesa. Kampione e Ballkanit po në 3000 metra me pengesa në Stamboll.

3.IZMIR SMAJLAJ: Kampion i Ballkanit në sallë në kërcimin së gjati me 7.80 metra.

4.KRENAR ZENELI: Nënkampion i Mesdheut në boks (pesha 56 kg). Dhe tre të tjerë të barabartë në vendin e pestë:

5.DAVID NIKOLLI – Nënkampion i Ballkanit në 5000 metra (14.32.0).

5.ERIGLENT PRIZRENI: Kampion i Ballkanit për të Rinjtë në Kampionatin Ballkanik të Mundjes së Lirë (pesha 65 kg) zhvilluar në Tiranë në nëntor.

5.PARIS KAREPI: Kampion i Ballkanit për të Rinjtë (Pesha 125 kg) në Kampionatin Ballkanik të Mundjes së Lirë zhvilluar gjithashtu në Tiranë në nëntor.

Çfarë del nga kjo Pesëshe? Del pesha e sporteve individuale përballë “lehtësisë” së atyre kolektive. Kjo ngaqë në sportet kolektive Shqipëria, ashtu si dhe në 2017, nuk arriti asnjë vend nderi, asnjë lloj kualifikimi të rangut. Dhe është mû kjo problematika “e re” e sportit shqiptar.

Peshëngritja, edhe pse thuajse në rënie në këto vitet e fundit, prapë arrin më të mirën e gjithë sporteve të tjera. Kështu, një shqiptar i madh i sportit kombëtar, Briken Çalja bëhet i pari peshëngritës në historinë e Shqipërisë që shpallet Kampion i Europës në të tri stilet. Sigurisht, ditët kur ai arriti këtë sukses u morën me të. Me himnin e flamurin kombëtar, me arin e medaljeve. Çka mandej gjithçka u shua?!..

Interesante është ndërkaq atletika e lehtë, e cila natyrisht që në kryeqytetin e Shqipërisë me gati 1 milion banorë nuk mund të zhvillohet, për shkak se Tirana është i vetmi kryeqytet i një shteti në Europë pa pistë atletike. Vepër e bukur më vete kjo e qeverisë shqiptare dhe e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

E megjithatë, siç shihet, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj përsëri në krye të nderit të sportit shqiptar, pranë të cilëve u mundua të ishte edhe një atlet fjalëpakë e punëshumë – Kampion i mëparshëm i Ballkanit – por Nënkampion në 2018: David Nikolli. Mandej, një boksier që arrin të jetë Nënkampion i Mesdheut, për të mbërritur te mundësit e rinj – Kampionë të Ballkanit, Eriglent Prizreni dhe Paris Karepi. Dhe vetëm kaq?

Në këtë pesëshe, që në të vërtetë është shtatëshe, e veçanta është se në kaq pak emra, vetëm 7, kemi individë të katër sporteve të ndryshme: peshëngritje, atletikë e lehtë, boks, mundje. Duket si një larmi e madhe për kaq pak emra. Dhe me shumë kuptim, çka tregon se përhapja e arritjeve shumësportëshe mund të jetë vërtet diçka tejet tërheqëse edhe në Shqipëri. Nuk di se çka janë duke bërë këto ditë, këta sportistë më të mirët e vitit, aq më tepër kur kujton se dikur me sportistët më të mirë të vitit kemi çuar peshë Shqipërinë. Kohëra të tjera, me sa duket…

Kjo është varfëria e sotme sportive e Shqipërisë. Mëkat që për këta sportistë të mrekullueshëm nuk dëgjojmë thuajse asgjë të veçantë. Asnjë nderim të veçantë. Asnjë trajtim të veçantë. Asnjë përfitim të veçantë në të mirë të tyre. Për fat të keq, kemi dëgjuar dhe dëgjojmë se edhe Kampioni i trefishtë i Europës, Briken Çalja, pak a shumë nuk arrin as deri te shpërblimi që i takon me ligj. Ose ia arrin me shumë vështirësi.

Shqipëria sportive përjeton varfërinë e saj. Vitin e kaluar, duke përshkuar janarin, këtu në “Panorama” pata botuar shkrimin me titull: “Bravo Shqipëria! Një muaj pa sport!”. Ishte janar 2018. Pamja është e njëjtë edhe për janarin 2019. E pra, Shqipëria ka “Ministri të Sporteve”, kuptohet bashkë me arsimin, që është edhe ai edukim për shoqërinë. Mirëpo, ndoshta sportin nuk e njohin për edukim, madje as formim të shoqërisë. Kjo është varfëria sportive e Shqipërisë.

Ka megjithatë vetëm një ngjarje. Ose ka një ngjarje që ndodh mesatarisht një herë në dy muaj, kur qeveritarë në eufori “të papërshkruar” shkojnë e numërojnë shkallët e stadiumit të ri se deri ku kanë mbërritur. Me pompa televizive e fraza gazetarësh të përulur. Këto qenë “10 radhët e mia” për kësaj here. Të pakta. Ashtu siç qenë krejt të pakta sukseset e sportit shqiptar 2018. Ndërkaq, diku lexova se Jean Giraudoux (1882-1944) novelist, eseist dhe diplomat i një fame, paska thënë: “Sporti është ai që i përçon trupit të njeriut disa prej virtyteve më të mëdha të shpirtit”. Vërtet?…
*Opinioni eshte botuar ne “Panorama Sport”