Opinion nga Redan BUSHATI
Ka ulur siparin gjysma e parë e Kategorisë Superiore, me 13 javët përbërëse të saj, ku kampion dimri është shpallur Skënderbeu i Korçës. Në 1170 minutat e para të superligës 2012-2013, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 17 pikë (44% të pikëve të mundshme), duke u renditur në vendin e tetë. Nga këto (17 pikë), 11 pikë ka “vjelë” në shtëpi (52,4% të pikëve të mundshme), duke lënë kësisoj 10 pikë, ndërsa 6 pikë ka marrë në transfertë (33,4% të pikëve të mundshme), duke lënë kësisoj 12 pikë.
Gjithsej, në këto 13 javë të fazës së parë, Vllaznia ka lënë 22 pikë (56% të pikëve) nga 39 pikët e mundshme. Në total shkodranët kanë shënuar 15 gola, ose e thënë ndryshe 1.15 gola për ndeshje, ndërkohë që kanë pësuar plot 14 gola, ose ndryshe 1.08 gola për ndeshje. Nga golaverazhi total i kuqebluve (15-14), në shtëpi është 10-8 dhe në transfertë 5-6. Në fazën e parë, Vllaznia ka luajtur 7 ndeshje në shtëpi, pra në “Loro Boriçi”, ndërkohë ka zhvilluar plot 6 ndeshje si udhëtuese.
Statistikat e lartshënuara mund të jenë sfilitëse për disa prej jush, por në bazë të tyre bëhen llogaritë e një skuadre, duke analizuar ecurinë e saj, në këtë rast të Vllaznisë deri në gjysmën e parë të garës. Kuqeblutë janë “shtypur” nga pretendentët kryesorë për titull, si Skënderbeu, Teuta dhe Tirana, si dhe kanë barazuar me Flamurtarin. Ndeshjet me skuadrat “big”, si Skënderbeu, Tirana dhe Flamurtari i ka zhvilluar në shtëpi, kështu që në fazën e dytë do të ketë përballje tejet të vështira në transfertë, ku pikët në këto tre ndeshje, me ecurinë e deritanishme të kuqebluve, pritet të jenë me pikatore. Nga ndeshjet kryesore, që do të luaj në fazën e dytë, në shtëpi, janë me Kukësin dhe Teutën, respektivisht në javën e 15-të (dytë të fazës së dytë) dhe 22-të (nëntë të fazës së dytë). Shkodranët luajnë brenda fushe me këto skuadra: Kukësi, Bylis, Tomori, Teuta, Besa dhe Kastrioti. Ndërsa, ndeshjet jashtë fushe për kuqeblutë janë me këto skuadra: Skënderbeu, Luftëtari, Apolonia, Laçi, Shkumbini, Tirana dhe Flamurtari.
Në përfundim të fazës së parë, pa hedhur vështrimin drejt së dytës, konstatojmë se Vllaznia është një ekip pa rezultate konstante, duke treguar gjatë garës oshilacione të herëpashershme. Vetëm njëherë të vetme në këtë fazë ka arritur të bëjë dy fitore radhazi (ndaj Bylisit dhe Laçit). Ndërkohë që gjithsej në shtëpi ka arritur tre fitore dhe jashtë fushe vetëm një, gjë që tregon se transfertat janë një “mollë e ndalur” për skuadrën shkodrane. Kjo vjen jo për faktin e vështirësive të fushës ku luhet, aq sa për arsyet e mos përgatitjes serioze të ndeshjeve në transfertë. Sakaq, duket se barazimet shijojnë më tepër në organikën e sivjetshme të kuqebluve, teksa kanë arritur plot 5 të tilla, ku nga këto 2 në shtëpi dhe 3 në transfertë. Sakaq, numri i humbjeve është po aq sa i fitoreve, katër, ku nga këto 2 në shtëpi dhe 2 në transfertë.
Në gjysmën e parë të udhëtimit për edicionin 2012-2013, Vllaznia ka vuajtur sa në sulm, po aq edhe në mbrojtje. Mesfusha ka treguar më stabilitet, porse edhe ajo në ndihmë të ofensivës dhe defensivës, në raste të veçanta dhe të posaçme gjatë lojës, është treguar e mefshtë dhe pa energjinë e duhur. Në gjithë këto javë, linja e djathtë është dukur më e sigurt, ku në mbrojtje Smajli dhe në mesfushë Dragoi, janë lojtarë me cilësi dhe kualitete të mira, gjë që e kanë dëshmuar në ndeshjet e zhvilluara. Organizimi i lojës së kuqebluve shpesh i është besuar malazezit Deliç, por edhe ai ka pasur ulje-ngritjet e veta, sa në një ndeshje në tjetrën, po aq edhe brenda së njëjtës sfidë. Qëndra e mbrojtjes është mjaft problematike te Vllaznia, prej së cilës kanë “rrjedhur” edhe mjaft prej golave të pësuar. Mesfusha në qendër nuk është edhe aq solide, saqë tekniku Duro ka kryer shpeshherë lëvizje brenda saj. Krahu i majtë i mbrojtjes ka shfaqur pasiguri, sidomos pas dëmtimit të Seminës, ndërsa mesfusha me Hajdarin ka treguar ritëm mesatar. Sulmi duhet shpallur “non grata”, pasi nuk mbahet mend se Vllaznia ka vuajtur ndonjëherë nga një shterpësi e tillë golash nga vija e parë e sulmit, pavarësisht se Rexha është zgjuar vetëm në dy ndeshjet e fundit, kjo është shumë pak për një sulmues të mirëfilltë. Sakaq, sa i përket katërkëndorit i duhet thënë malazezit Vujadinoviç “Bravo, faleminderit!”, pasi ai është ndër portierët më të mirë të kampionatit shqiptar.
Në gjithë këto probleme që kanë shoqëruar Vllazninë, patjetër që stafi teknik dhe ai drejtues kanë defiçitet e përgjegjësitë e veta. Stafi teknik, me në krye trajnerin, shpeshherë kanë gabuar në vendosjen e futbollistëve në fushë, por edhe në kërkimin e rezultatit, ku shpesh në ndeshjet në Shkodër ekipi ka shfaqur frikë për të sulmuar, duke u mbrojtur qysh në fillim – gjë e rrallë kjo për traditën e këtij ekipi. Ndërkaq nuk mbetet prapa stafi drejtues, i cili pretendon se vendimet e tij kanë qenë të drejta. Nga merkatoja deri tek zgjedhja e trajnerit është një dështim total i drejtuesve të klubit, aty ku delenxhíu bën specialistin e mirëfilltë të futbollit. Në fakt, prej kohësh në Shkodër kanë ngatërruar specialistët e sportit dhe ato që i kanë dhënë vlerë futbollit shkodran dhe atij shqiptar, duke e lënë skuadrën dhe ekipin në duart e pazvanëve, spordhjakëve dhe deledashëve. Kjo është një arsye më shumë se pse Vllaznia ka shfaqur kaq shumë probleme, ndaj edhe shkallët e tempullit të futbollit shqiptar, “Loro Boriçi”, natyrshëm që po boshatisen çdo ditë e më tepër.