Ish-portieri i Partizanit dhe Kombëtares, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” hedh dritë mbi një ng jarje të ndodhur para 31-vite, ku ai dhe tre futbollistë të tjerë të “demave” u pezulluan pas shpikjes së disa normave. Musta tregon se ka qenë një ngjarje e porositur që ai të mos luante dhe t’i hapte rrugë dikujt tjetri, nga ku në fund përfitoi Tirana që u shpall kampion, ndonëse Partizani ishte më mirë.

Perlat Musta jep edhe disa shembuj duke hedhur poshtë mitin se Partizani ka qenë i favorizuar dhe Tirana e persekutuar, ku në rrëfimin e tij “legjenda e portës” së viteve 80-të tregon privilegjet që kishin bardheblutë në atë periudhë.


Si ka shkuar periudha e izolimit për Perlat Mustën?

Në përgjithësi mirë, por si të gjithë, i mbyllur pjesën më të madhe.


Kjo periudhë ka shërbyer për shumë personazhe të sportit për të kthyer në kujtesë ngjarje të panjohura kryesisht për brezin e ri. Si protagonist, dëshironim të na sqaronit diçka në lidhje me një situatë të ndodhur te Partizani në sezonin 1988-1989, ku disa lojtarë u pezulluan në pjesën e fundit të kampionatit pasi nuk kapën normat. E mbani mend si ngjarje?

Sigurisht që e mbaj mend. Ka qenë një situatë e ndodhur pas fazës së dytë, ku ne udhëhiqnim me katër pikë para Tiranës. Kampionati atë sezon zhvillohej me tri faza. Përpara fillimit të fazës së tretë u shpikën normat.

Pse u shpikën normat, nuk ishte proces i pritshëm?

Normat jepeshin dy herë brenda një sezoni. Fillimisht në verë para fillimit të sezonit, pikërisht në gusht, dhe herën tjetër në janar. Por në atë sezon u shpikën normat edhe në periudhën mars-prill. Gjatë atij testimi të shpikur me sa mbaj mend ngelëm unë, Arjan Ahmetaj, Marko Pelinxhi dhe Ledio Pano. Ishim katër lojtarë të formacionit.

Kjo i ndodhi vetëm Partizanit, apo edhe klubeve të tjera?

Çdokush njeh shtëpinë e vet, ndaj nuk e di se çfarë ka ndodhur te të tjerët. Por, me sa mbaj mend Partizani ishte më i dëmtuari. Si ekip ishim të parët dhe të shkëputur nga ndjekësit në dy fazat e para. Për mua ajo që ndodhi ka qenë me plan. Janë gjëra që i përkasin së shkuarës.

Nga kush ishte planifikuar, nga federata apo ndonjë institucion tjetër?

Normal, asokohe nuk kishte federatë, kishte komitet, siç është sot ministria përkatëse. Pra, vareshim nga komiteti i sporteve, pastaj vinte federata si vartëse e asaj strukture.

Çfarë normash nuk kape?

Unë mbeta te një garë 4 metra e 30-të. E dhashë herën e parë dhe e përsërita edhe pas tri ditësh, por përfundimi ishte i njëjtë. Dihej si do të dilnin testimet, pasi kishin ardhur me qëllimin për të na ngelur. Për këtë flas në aspektin personal, pasi për herë të parë në këto testime të futbollistëve u vendos edhe një arbitër atletike. Zakonisht ne na merrnin në prova specialistë të futbollit, drejtuesit e federatës.


Përveçse u shpikën normat në periudhë të pazakontë, para fazës së tretë, por për herë të parë u vendos që mbikëqyrësi të vinte nga sektori i atletikës. Kush ishte ky përfaqësues i atletikës që ju mori në testime?

Ishte arbitër atletike, kompetent për disiplinën që përfaqësonte. Ai kishte ardhur me porosi, pasi për mua kishte marrë edhe kompetencë të veçantë. E them këtë, pasi disa muaj më vonë ai ma ka thënë edhe në kofidencë.


Nuk dëshiron t’ia përmendësh emrin?

Gjejeni vetë, pasi ai është emër i njohur dhe i ditur. Nuk dua ta përmend, pasi më vonë doli se e kisha edhe njeriun tim. Më vonë ai më sqaroi se në periudhën e testimeve kishte ardhur enkas për mua. Më tha, se kam ardhur me urdhër që ti të mos kaloje testimet. Ka qenë një histori me inskenim nga prapa, por nuk dua t’i hyjë më gjatë, pasi nuk ia vlen tani pas më shumë se 3 dekadash.


Pra, veç humbjes së titullit të Partizanit, ku ju hoqën katër titullarë, pati edhe një ndërhyrje tjetër. Cila ishte kjo ndërhyrja tjetër?

Nuk dua të flas për këtë çështje. Nuk ia vlen më, pasi dihej historia, që unë të mos luaja dhe në vendin tim të aktivizohej dikush tjetër. Dihej që unë isha i dënuar në atë periudhë pas incidentit me Benfikën dhe nuk merrja pjesë në ekipin kombëtar. Se ka qenë inskenim ma vërtetoi edhe një herë periudha kur po jepnim normat në verën e 89-ës për sezonin e ri.


Çfarë ndodhi?

Personi që më ngeli në testimet e shpikura në mars-prill, më tha mos u lodh kot se i kap normat, por unë kisha ardhur me porosi atëkohë. Ai më tha se jam nip i “filanit”. I binte që dajën e tij, unë e kisha kushëri. Gjithçka mu sqarua pas 3-4 muajsh nga ajo shpikje provash që unë dhe disa të tjerë të mos luanim me Partizanin që udhëhiqte kampionatin.


Nga kjo histori i bie që përfitoi Tirana që u shpall kampion atë sezon dhe Partizani e mbylli i dyti?

Normal që kampionati shkoi në favor të Tiranës, pasi në atë periudhë bardheblutë ishin ekipi që rivalizonte direkt me Partizanin. Jo gjithmonë kampionatin e fiton ekipi që e meriton, pasi edhe Tirana i kishte lojtarët në atë periudhë, madje një brez të mirë që ishin edhe pjesë e Kombëtares, si Kola, Minga, Josa, Muça, Lekbello. Përpos kësaj, di të them me saktësi se pezullimi im nga ai sezon ka qenë me urdhër. Shpikja e atyre normave bëri që Partizanit t’i hiqnin katër titullar. Me bindje them se po të vazhdonte kampionati, sipas rregullave të ditura, Partizani do të dilte kampion. Mbase mund ta humbisnim edhe ne, duke qenë të gjithë.

Te Tirana në periudhën e demokracisë është krijuar një ide se kanë qenë të persekutuar si ekip para viteve 90-të, por këto histori nuk shkojnë në sinkron me pretendimet…

Biografinë e çdo njeriu e bënte sistemi. Pastaj biografinë e çdo ekipi e bëjnë tifozët dhe këto janë fakte. Nuk duhet të merremi me atë gjëra, pasi funksiononte me periudha. Në disa periudha ka qenë e fortë Ministria e Mbrojtjes, dikur ka qenë e fortë Ministria e Brendshme. Por, Komiteti ku përfaqësohej Tirana ka qenë gjithmonë i fortë, kishte shtëpi dhe kishte punë, që ishin parësore për sistemin e asaj kohe. Faktet janë gjithmonë kokëforte, thonë.


Çfarë nënkuptoni me këtë?

Po ja. Një lojtar i Partizanit e kishte të vështirë t’i dilet shkolla dhe këtë e kam vuajtur edhe vetë. Pas katër-pesë vitesh konkurrim, me zor më doli Instituti i Lartë i Fizkulturës, madje isha edhe pjesë ekipit Kombëtar. Mbaronte shkollën lojtari i Partizanit, nuk emërohej. Shembujt janë konkretë, si Eksarko, Lika e të tjerë, që mbaruan Institutin e Fizkulturës dhe nuk kishin emërim, pasi kjo procedurë kryhej nga Komiteti Ekzekutiv. Ndërsa lojtarët Tiranës kanë qenë të gjithë të privilegjuar nga ky aspekt.

Cilat ishin privilegjet që kishin asokohe lojtarët e Tiranës karshi jush?

Të privilegjuar ishin pasi kishin të sigurt shkollën, shtëpinë dhe punë, gjë të cilën ua siguronte Komiteti. Ndërsa unë kam edhe një shembull tjetër personal. Bashkëshortja ime pasi mbaroi shkollën ka ndenjur dy vite e ca pa punë se i kishte dokumentet në Komitet. Të vetmin nder që më bënë, ishte se mbajtën në Tiranë, duke mos e çuar me emërim në ndonjë rreth. Por ngeli 2 vite e gjysmë pa punë. Çfarë privilegji është ky? Ndërsa lojtarët e Tiranës në atë periudhë, vetëm ai që nuk ka dashur, ka ngelur pa Institutin e Fizkulturës. Kush ka dashur nga ata, të gjithë u shkolluan dhe u emëruan në punë, ndërsa ne kishim të vështirë. Jo pa qëllim tregova rastin tim.