A ka pasur momente delikate apo ndonjë situatë të veçantë gjatë kthimit në Shqipëri nga jashtë vendit? Targaj rrëfen: “Eh… Ka pasur edhe siklete…Kur dilnim jashtë shtetit, vinim re ndryshime të mëdha të atyre vendeve me Shqipërinë dhe mahniteshim nga zhvillimi i tyre, krahasuar me vendin tonë, edhe pse nuk e shprehnim me zë.
Shihnim si të blinim ndonjë pulovër, ndonjë këmishë apo diçka tjetër për familjen. Sikleti shtohej sidomos në doganë. Ne merrnim ndonjë “gjel”, ndonjë dollar, por problemi ishte gjithmonë në doganë.
Kisha blerë jashtë për mbesën 4 vjeçe në atë kohë, vajzën e vëllait, një bluzë që në pjesën e përparme kishte një fëmijë me patina. Ma mbajtën në doganë. “Nuk lejohet”, më thanë. Ndërsa orët apo florinjtë i fshihnim me kujdes në kutitë e një qumështi të trashë.
Shkrinim një pjesë të kutisë, fusnim gjërat brenda dhe pastaj i ngrinim prapë, për ta kthyer në gjendjen e mëparshme. Ka pasur raste që kam kaluar kuti qumështi të gjithë ekipit kombëtar.
Një situatë e vështirë e kohëve të kaluara. Ne nuk i shkaktonim askujt asnjë dëm, por i tillë qe sistemi, shumë hermetik dhe me masa drastike”.