Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Pas zhgënjimit në dy ndeshjet e para të fazës “Final Four”, te Vllaznia kanë nisur lëvizjet e para për ndërtimin e skuadrës së re. Drejtuesit kuqeblu po studiojnë disa alternativa në merkato dhe një nga emrat që ka hyrë në orbitën e klubit është ai i Lorenc Trashit.
Futbollisti 33-vjeçar, i cili u aktivizua sezonin e fundit te Flamurtari, vlerësohet për eksperiencën e madhe në futbollin shqiptar, por edhe për faktin se mund të luajë në disa role në krahun e majtë.
Trashi ka një karrierë të pasur me ekipe si Partizani dhe Ballkani dhe gjithashtu ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se aktualisht nuk ka ende një marrëveshje konkrete mes palëve, por emri i Trashit pëlqehet nga stafi dhe drejtuesit e Vllaznisë, teksa madje ka patur edhe një ofertë zyrtare.
Shkodranët pritet të ndërhyjnë sidomos në repartin defensiv dhe në krahët e fushës, aty ku skuadra tregoi luhatje gjatë sezonit të fundit. Përvoja, karakteri dhe njohja shumë e mirë e kampionatit shqiptar e bëjnë Lorenc Trashin një profil interesant për kuqeblutë, të cilët synojnë të ndërtojnë një ekip më konkurrues për sezonin e ardhshëm.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


