Nga Marinela MATIJA
E re, e bukur dhe simpatike. Njëkohësisht edhe me njohuri të mira mbi sportin. Të gjithë këto elementë padyshim që e plotësojnë figurën e saj, për ta bërë atë një moderatore sportive të cilën ke dëshirë ta ndjekësh. E kemi fjalën për Gjovana Tushanin. E kemi parë atë përgjatë gjithë sezonit të kaluar në ekranin e Star Plus TV duke drejtuar bashkë me kolegun e saj Maringlen Zhivani emisionin sportiv “Star Sport”.
Po kush është Gjovana dhe si u gjend në ekranin e televizionit duke moderuar një emision sportiv? Cila është lidhja e saj me sportin etj? Pyetjet rreth saj mund të jenë të shumta dhe jo më kot, Gazeta “Shkodra Sport” e ka intervistuar, duke kërkuar të mësojë diçka më shumë rreth pasioneve të saj.
-Gjovana përshëndetje!
Përshëndetje Marinela!
-A mund të na thuash si u gjend një bukuroshe si ju papritur si prezantuese në një emision sportiv?
Nuk ishte aq e papritur sa mund të duket. Edhe pse jam me profesion infermiere, gjithmonë më ka pëlqyer bota e medias dhe sportit. Rasti për të qenë pjesë e një emisioni sportiv erdhi në momentin e duhur dhe vendosa të sfidoj veten në një fushë të re, duke e parë si një mundësi për të bashkuar pasionin me komunikimin.
-Kush është Gjovana Tushani? Ma përshkruani pak veten tuaj…
Një vajzë energjike dhe ambicioze, me profesion infermiere dhe pasion për mediat. Pavarësisht profesionit tim në kujdesin shëndetësor, gjithmonë kam qenë e tërhequr nga sporti dhe bota e televizionit.
– Ka qenë e vështirë për ju në fillim që të inagranoheshit në botën e sportit?
Po, nuk ishte e lehtë, sepse është një fushë e re për mua dhe mbi të gjitha një fushë e dominuar nga gjinia mashkullore, por me kuriozitet, përkushtim dhe dëshirë për të mësuar, gjërat filluan të bëhen më të natyrshme me kalimin e kohës. Ajo që dua të veçoj është diçka që më ka bërë shumë përshtypje. E kam fjalën për ndihëm tuaj, Marinela, sepse jo vetëm që nuk kishe aspak inate për nga ana profesionale ngaqë zura vendin tuaj në këtë emision, por madje u bëre një ndihmë e madhe për mua në fillimet e para.
– Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në lidhje me njerëzit e fushës së sportit gjatë kësaj periudhe kur jeni në rolin e moderatores?
Energjia dhe pasioni që e karakterizon këtë botë! Sporti i bashkon njerëzit dhe të gjithë, nga sportistët te tifozët, kanë një lidhje emocionale shumë të fortë me atë që bëjnë dhe ndjekin.
– Ju shohim gjithnjë e më shumë të pranishme në stadium. Ka filluar t’iu bëjë për vete futbolli?
Po, me shumë sinqeritet mund të them që po. E ndjek me pasion dhe mundohem t’i ndjek të gjitha ndeshjet.
– Keni një shembull prezantueseje që dëshironi të ndiqni?
Po, kam disa figura të njohura në televizion që i admiroj për profesionalizmin dhe qëndrimin në ekran, si Vilma Masha, Marina Vjollca etj
– Ju ndihmon fakti që edhe motra juaj është prezantuese në TV apo ka “garë” mes jush?
Është një përkrahje shumë e madhe! Ndajmë eksperiencat me njëra-tjetrën dhe më ndihmon shumë të kem dikë kaq afër që më kupton dhe më motivon. Nuk ka aspak garë – vetëm mbështetje.
– Së fundi, jeni e re në moshë, e shihni veten gjatë pranë sportit si prezantuese?
Po, e shoh këtë si një rrugë që dua ta zhvilloj më tej. Jam në fillim, por kam shumë dëshirë të mësoj, të rritem profesionalisht dhe të jap më të mirën time.(www.shkodrasport.com)