Në orën 20:00 është luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndeshja Vllaznia-Tirana. Klasikja e Shqipërisë u zhvillua në kuadër të javë së dytë të Superiores 2024-25 dhe përfundoi me rezultatin 2-2.
“Shkodra Sport” përveç raportimit në kohë reale të duelit, sjell për lexuesit e saj edhe disa “pikante” të “klasikes”.

-Ndeshja duhej të niste në orën 20:00, por një problem në sistemin VAR bën që të shtyhet. Dueli do niste në orën 20:30, pra 30 minuta me vonesë.

-Numri i tifozëve është i konsiderueshëm në shkallët e “Loro Boriçit”. Nuk mungojnë as tifozët miq nga kryeqyteti.

-Topin e parë të takimit e luan legjenda e futbollit shkodran, Sait Çanga. Prej vitesh tashmë në SHBA, klubi shkodran nderon para tifozerisë kuqeblu një prej ish-kampionëve të saj.

-Dy kapitenët Balaj dhe Mici janë dy futbollistët më të vjetër të skuadrave respektive. Konkretisht si sulmuesi kuqeblu dhe mbrojtësi i Tiranës janë ditëlindja e vitit 1991.

-Trajneri Brdaric “detyrohet” të veshë një jelek ngjyrë rozë. Kjo pasi ngjyrat e trajnerit ishin të përafërta me atë të lojtarëve kuqeblu. Diçka që rregullorja nuk e lejon.

-Ka karton të verdhë për Metën, trajneri Shkëmbi i Tiranës nuk është aspak dakord me vendomin e Cjapit. Dhe në këtë mënyrë kërkon “llogari” tek gjyqtari i katërt, Alla.

-Ka përleshje fizike mes tifozerisë së Tiranës dhe forcave të policisë. Shkak dukej se ishte festa e tepruar e mbështetësve bardheblu të cilët hodhën disa mjete piroteknike në pistën e stadiumit.

-Brdariç shumë i nervozuar me mbrojtjen e tij. E cila në disa momente rradhazi u rrezikua shumë. Gjermani kërkonte që ekipi të dilte para dhe mbante kundërshtarin nën presion.

-Protesta tek Vllaznia, kuqeblutë kërkojnë një prekje me dorë nga ana e mbrojtësve të Tiranës, që do sillte penallti. Pas shikimit të rastit në VAR, Cjapi vendos për penallti në favor të kuqebluve.

-Trajneri Shkëmbi kërkon nga të tijët që të luajnë me vertikalizime dhe jo të kërkojnë zgjidhje individuale. Ku është Prenga që tenton 2-3 herë rradhazi nga distanca, por pa sukses.

-Në një moment kur Vllaznia shënon golin e barazimit 2-2 me anë të Balajt, gëzimit të tifozëve shkodranë i “bashkohet” edhe ambulanca e ndodhur në stadium. Sirenat e saj u ndezën nga shoferi i cili duket se është një tifoz i zjarrtë kuqeblu.

-Qato është aktivizuar në 3 pozicione nga trajneri Brdaric. Fillimisht si mesfushor qëndre, në pjesën e dytë si mbrojtës i djathtë. E ndërsa në fund e mbylli si mbrojtës i majtë.

-Në fund mbyllet 2-2 në klasike, me dy ekipet që prodhojnë një 90 minutësh të një niveli të kënaqshëm.

Endri ÇINARI