Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia U-19 arriti të fitojë pak ditë më parë turneun “Eagle Cup”. Në krye të saj ishte një emër i njohur si Elvis Plori. Ky i fundit është përmendur shumë në Kategorinë e Parë, aty ku në fakt ka ngjitur edhe ekipe në Superiore. Plori ka nisur punë para shumë vitesh, fillimisht tek Akademia Vllaznia, ku arriti që me ekipet U-17 dhe U-19 të shpallej disa vite kampion i vendit.
Ai ka provuar të drejtojë edhe ekipin e parë të Vllaznisë apo për të qenë edhe si drejtor sportiv i kësaj skuadre, por aty gjërat nuk shkuan siç duhet. Ndërkohë, Plori, duke folur për emisionin “Studio Sport”, tha se çdo herë që ka punuar tek Akademia Vllaznia ka marrë trofe, ndërsa shtoi se do ishte i keqardhur nëse do e mbyllte këtë sezon pa një Kupë të fituar.
“Më vinte gjynah për veten time që ta mbyllja sezonin pa një trofe me Akademinë Vllaznia. Kam punuar edhe tre vite më parë dhe ia kam dalë të sjell sërish trofe. Çdo herë që kam punuar tek Akademia Vllaznia, kam marrë trofe. Çdo herë ka ndodhur. Pra, sa kam punuar në Akademi, kam marrë gjithmonë trofe. Unë e kam filluar karrierën në 2006 te Akademia. Brezi i atij viti ka qenë fantastik, me futbollistë si Balaj, Marku, Djepaxhia, Vajushi apo edhe Karakaçi. Janë një brez, të cilët akoma vazhdojnë të luajnë futboll dhe unë jam krenar për ato që kam arritur me ato djem.
Tani ishte një rikthim pas shumë vitesh në Akademi, pas eksperiencës së gjatë që kam pasur në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Ishte viti i parë që nuk merrja trofe, duke ditur se dy vite më përpara isha me U-21, që u shpalla përsëri kampion Shqipërie. Pra, ishte viti i parë që mbeta pa trofe. E kisha njëfarë pengu. Tani e mora trofeun e “Eagle Cup” dhe ishte edhe një justifikim për punën time, por duhet t’i falënderoj edhe gjithë ato bashkëpunëtorët e mi, të cilët kanë bërë një punë fantastike gjatë gjithë vitit me këto djem”,- tha trajneri i Vllaznia U-19, Elvis Plori.(www.shkodrasport.com)
