Nga Endri ÇINARI
Një futbollist shkodran po shkëlqen në Portugali nga java në javë. Fjala është për Andreas Ndojin, 22-vjeçarin e lindur dhe rritur në Athinë, por që me origjinë është nga kryeqendra e veriut shqiptar. Mbrojtësi por tregon kualitetet e tij dhe po bind në elitën e futbollit portugez thuajse çdo javë.
Në rradhët e skuadrës Rio Ave, ai ishte më i miri në fushë në javën e 32-të të kampionatit portugez. Ku ekipi i Ndojit triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Estrelas, falë golave të Clayton dhe Neto. Por pavarësisht se nuk shënoi, mbrojtësi ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për skuadrën e tij në prapavijë. Duke qenë vendimtar me disa ndërhyrje që mbajtën portën e Rio Aves të paprekur.
Jo më kot, futbollisti i kombëtares greke meritoi edhe çmimin si njeriu i ndeshjes në këtë duel. E po ashtu i vlerësuar me notën 8.27, ai u rendit edhe mes më të mirëve në formacionin e javës së 32-të në elitën e futbollit portugez. Ndoji është pjesë e Rio Aves që nga janari i këtij viti, ku është huazuar nga Olimpiakos, klub që zotëron kartonin e mbrojtësit.
Por me paraqitjet që ka zhvilluar deri më tani në Portugali, kthimi në rradhët e rekordmenëve të futbollit grek është vetëm një çështje kohe për mbrojtësin.
