Portieri i Egnatias, Mario Dajsinani u shfaq tepër i lumtur pas kualifikimit në finalen e “Final 4”. Rrogozhinasit barazuan pa gola në “Arenën Kombëtare”, ndaj Partizanit, teksa tashmë do të masin forcën me Vllazninë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “RTSH”, Dajsinani deklaroi:
“Ishte ndeshje që mund të them që ishim pak nën presion, sepse kishim edhe 2 rezultate, por ndonjëherë këto dy rezultate edhe të ngatërrojë pak gjatë lojës. Në fund kishim atë ankthin, sepse edhe Partizani filloi të sulmojë. Shyqyr ja dalëm dhe tani jemi në finale.
Shpresoj tani që edhe ndeshjen e fundit të bëj sa më mirë dhe të ndihmoj sa më shumë ekipin duke ua shpërblyer edhe besimin që kanë pasur.
Kam bërë zgjedhjen e duhur, ishte një zgjedhje e imja edhe e presidentit të Egnatias, që kishte dëshirën e tij që të isha pjesë e ekipit. Edhe unë kisha atë dëshirën që në merkaton e verës të bashkohesha me ekipin duke parë që është një trampolinë mjaft e mirë për të bërë një hap jashtë Shqipërisë. Nuk kisha shumë raste sot, por portieri aty duket, kur është ekipi mirë, ato pak raste që krijohen t’i zgjidhë sa më mirë dhe të mbajë rezultatin.
Me Vllazninë Egnatias i ka ecur përherë kështu që le të shohim tani në finale”, u shpreh Dajsinani.