Fernando Carro, drejtor ekzekutiv i Bayer Leverkusen, ka hedhur një ide që do të gjejë mbështetje, por padyshim do të ketë edhe kritika. Ai ka propozuar vendosjen e një rregulli për një limit të pagave për futbollistët, të ngjashëm me atë që zbatohet në NBA.
Sipas tij, ky mekanizëm do të shërbente për të balancuar disi fuqinë ekonomike të Premier League në krahasim me kampionatet e tjera të Europës. Carro paralajmëroi se dominimi financiar i klubeve angleze mund të minojë prestigjin e Champions League.
Ai foli në konferencën “Future of Finance” në Frankfurt, ku nënvizoi se një kufi i tillë do të kishte efekt vetëm nëse zbatohet në nivel global dhe në mënyrë të detyrueshme.
“Premier League po përpiqet të shndërrohet në produktin numër një të Europës, edhe mbi Champions League”, deklaroi ai. Carro shtoi se, ndonëse zakonisht nuk është pro kufizimeve, në këtë rast mendon se është i domosdoshëm.
Aktualisht UEFA aplikon rregulla financiare që lidhin shpenzimet për skuadrat me të ardhurat e klubeve, por hendeku ekonomik mbetet i madh. Shembull i kufizimeve kombëtare është Spanja, ku La Liga zbaton një tavan pagash nën drejtimin e Javier Tebas.
Të dhënat e fundit të UEFA-s tregojnë se Premier League në sezonin 2023-24 regjistroi të ardhura mbi 7.1 miliardë euro, ndërsa Bundesliga vetëm 3.6 miliardë.