Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e futsallës mori një fitore spektakolare mbrëmë në shifrat 6-1 ndaj Flamurtarit. Duke arritur kështu kualifikimin në finalen e kampionatit, ku përballë do ketë Tiranën. Një nga lojtarët e ekipit kuqeblu, Saimir Hyseni ka folur për “Shkodra Sport” pas këtij suksesi. Duke u shprehur shumë i lumtur, por edhe i gatshëm për finalen. Ku thekson se me skuadra është e përgatitur dhe së bashku me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalë mbanë për titull.
Hyseni tha: “Jemi shumë të gëzuar për këtë sukses shumë të merituar ndaj Flamurtarit. Dominuam nga fillimi në fund të ndeshjes dhe nuk e vumë asnjëherë në diskutim duelin. Mund të ishte si “hakmarrje” për atë humbje që na shkaktuan në Shkodër në fillim të kampionatit. Por ne treguam se ishim më lartë dhe e meritonim gjithçka, shkruan shkodrasport.com
Ekipi? Është ndërtuar për objektiva seriozë që në fillim, si drejtuesit dhe sportistët kanë qenë të dedikuar për të arritur gjëra të mëdha. Tashmë jemi afër dhe ka ngelur vetëm një ndeshje. Mendoj se kemi skuadër të përgatitur dhe me cilësi për të fituar gjithçka në fund.
Finale me Tiranën? Janë ekipi kampion në fuqi dhe që kanë dominuar këtë sport në vitet e fundit. Por kjo nuk na bën ne aspak inferiorë ndaj tyre prandaj deri në momentin e fundit ne do jemi aty për suksesin final. Së bashku me ndihmën edhe të tifozëve mendoj se mund t’ia dalim me sukses në fund”.(www.shkodrasport.com)