Nga Endri ÇINARI
Vllaznia U-21 arriti një fitore me vlera ditën e djeshme kundër Besës në transfertë. Kuqeblutë e drejtuar nga Edmond Doçi triumfuan ndaj kavajse me rezultatin 2-3. Ku protagonisti kryesor i takimit ishte Gerald Kubazi, i cili shënoi një dopietë.
Për “Shkodra Sport” ai shprehet i gëzuar për golat. E ndërsa ndan edhe një koment për këtë fund sezoni. Teksa thekson se qëllimi i tij i vetëm për sezonin që vjen është debutimi tek ekipi A i Vllaznisë.
Kubazi tha: “Ndihem shumë i lumtur për golat që shënova, kjo sepse ndihmova ekipin për të marrë pikët e plota, por edhe për pasurimin e statistikave personale. Kjo sepse një sulmues matet me gola dhe tashmë në këto ndeshje të fundit të sezonit dua të shënoj sa më shumë të jetë e mundur.
Prisja diçka më tepër nga ky sezon? Ndoshta më vjen pak keq se si shkoi sezoni tek ekipi U-19 i Vllaznisë. Gabuam ndoshta në disa ndeshje ku nuk duhej. Them se duhet të ishim më lart në renditje duke parë cilësitë që kishim.
Në aspektin personal ndoshta prisja një thirrje nga ekipi i parë i Vllaznisë. Për të marrë pse jo edhe pak minuta.
Kur do jem në ekipin e parë? Stërvitem çdo ditë me dedikim për tu përmirësuar dhe për të arritur ekipin e parë. Dua që në sezonin e ardhshëm të debutoj tek ekipi i parë i Vllaznisë. Nëse nuk do jetë Vllaznia skuadra ku do debutoj, do jetë një tjetër ekip i parë dhe ky është qëllimi im”.