Nga Endri ÇINARI

Silvio Zogaj, sulmuesi nga Lezha rinovoi ditën e djeshme me skuadrën e Lirisë së Prizrenit. 27-vjeçari që në të shkuarën ka dhënë kontributin e tij edhe për Vllazninë ka folur në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” pas këtij rinovimi. Ai shprehet shumë i lumtur pasi ishte një dakordësi dy palëshe. Teksa premton se do japë maksimumin dhe se një skuadër si Liria e ka vendin vetëm në Superligën e Kosovës.

-Zogaj, ndjenjat e para pas këtij rinovimi me Ilirinë, cilat ishin?


Ishte një dëshirë nga ana e të dy palëve, si nga e klubit dhe e imja për të vijuar këtë bashkëpunim. Jam shumë i lumtur që do jem edhe sezonin tjetër pjesë e Lirisë dhe të vazhdoj të jap kontributin tim këtu. Jam ndjerë i vlerësuar dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë.

-Prizreni, një “shtëpi e dytë” për ty tashmë apo jo?


Me thënë të drejtën mikëpritja që më kanë bërë stafi drejtues, shokët e skuadrës që janë vendas, tifozët, por edhe mbarë qyteti më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. I falenderoj të gjithë pa përjashtim dhe kjo është një arsye tjetër madhore se pse vendosa të rinovoja sërish kontratën.

-Ngjitja në Superiore ngelet objektivi i ekipit?


Për një klub si Liria synimi i Superligës është një detyrim dhe jo vetëm një objektiv. Shpresoj që gjithë së bashku t’i arrijmë pritshmëritë pasi ky klub dhe qytet meriton Superligën e futbollit kosovar.

-Një premtim i yti për tifozat e zjarrtë prizrenas?


Tifozëve të zjarrtë të Lirisë dhe në veçanti grupit “Apragjikt” iu premtoj që ashtu siç kam bërë deri më tani do vijoj të jap maksimumin nga forcat e mia. Dhe shpresoj që gjithë së bashku të shkojmë drejt objektivit final.(www.shkodrasport.com)