Një jetë i angazhuar me futboll, por tashmë prej thuajse dy muajsh e gjen veten të shtrënguar të mos dalë nga shtëpia. Ish-trajneri legjendar i Dinamos dhe shumë skuadrave në Shqipëri, Faruk Sejdini, tregon në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” karantinën si dhe situatën në futbollin tonë.
“Nuk mund të qëndrojë i mbyllur një sportist njësoj si unë që jam pensionist”, tregon ndër të tjera “Xhaxhi”. Teksa tregon ngjarje nga më të ndryshimet me Dinamon e tij, Sejdini shtron edhe dy teza interesante për formulën e kampionatit dhe mbështetjen e të rinjve.
Profesor, si jeni dhe si i keni kaluar këto ditë karantine?
Si të gjithë edhe unë. Do t’u nënshtrohemi rregullave. Do të mundohemi që, sa të jetë e mundur, t’i zbatojmë. Ndonjëherë, duket sikur e shkelim pak brenda kontureve, gjë e cila s’duhet bërë sigurisht. Po e quajmë një të keqe të domosdoshme.
A keni frikë?
Jo, megjithatë çdo njeri duhet të ruhet. Frika është ruajtje, nuk është trimëri. Unë jam munduar që të zbatoj rregullat dhe të jem korrekt si me veten time edhe me njerëzit me të cilët komunikoj.
Rreth dy muaj stop, çfarë i bën futbollit kjo ndalesë?
Kjo është thuajse në çdo sferë të jetës e ngjashme. Mirëpo, futbolli apo ndonjë sektor tjetër kolektiv e ndien më shumë. Futbolli sidomos, pasi është një sport që ka të bëjë me spektatorët, kolektivitetin e stërvitjes, komunikimin etj. Këto janë fushat që e ndiejnë më shumë. Nuk është aspak e mirë, mirëpo ne, po e fus edhe veten si pjesëtar i sportit, duhet t’i nënshtrohemi.
Kaq ekstremisht?
Më mirë t’i nënshtrohesh pak apo shumë tani, aq sa mund të jetë, sesa ta vuajmë shumë gjatë. Pra, kujtoni batutën e filmit shqiptar në frazën: “Gëlltit diku një lugë çorbë të prishur e pastaj vjell gjithë jetën”. Njëjtë edhe kjo situatë. Për më mirë ta kalojmë me një sakrificë tani, sesa një vuajtje e gjatë.
A kujtoni herë të tjera që është ndalur gjatë futbolli?
Unë i kam kaluar të gjitha fazat, edhe në vitin 1991, edhe në vitin 1997. Në vitin ’91 kam qenë në stol dhe kujtoj që i bënim ndeshjet në fusha asnjanëse, ngaqë kishte përplasje. Ishte thuajse pa tifozë, por vetëm me një pjesë njerëzish që vinin, por që nuk kishin lidhje me sportin, por me politikën. Kjo më duket më e rëndë, pasi është një armik që nuk e dimë as nga vjen dhe as nga ikën. As kur vjen dhe as kur ikën.
Sipas jush, a duhet ndryshuar formula e kampionatit dhe të shtohen ekipet në Superiore?
Unë ndoshta mbahem si ekstremist, mirëpo nisur nga kjo çështje që ju pyesni për diskutim, unë do të kisha një tezë për formulën e kampionatit, i cili ka nisur që të civilizohet. Duhet ta pranojmë këtë, sepse edhe kohët kanë evoluar. Unë do të isha që t’i shtonim edhe dy ekipe, pra të ishte me 12 skuadra dhe të luhej me tri faza me një specifikë.
Cila do të jetë specifika e fazës?
Dy fazat e para të luhen sipas shortit, pra me sistemin vajtje-ardhje. Mirëpo, faza e tretë të jetë me specifikën që ekipi pritës në këtë fazë të përcaktohet nga dy përballjet direkte të fazave të para.
Çfarë vlere ka?
T’jua demonstroj me një shembull. Në fazën e parë, luhet Skënderbeu-Tirana në Korçë dhe kryeqytetasit kanë shënuar një gol e janë duke fituar 0-1. Më mirëkuptoni për shembullin, sepse po përmend vetëm dy ekipe sa për ilustrim të idesë. Tirana nuk do të mjaftohet vetëm me atë gol, por do të synojë që të bëjë edhe një tjetër, pasi në ndeshjen e kthimit Skënderbeu mund të shënojë më shumë.
Kështu, pikët në dy ndeshje direkte apo edhe golavarazhi, apo rëndësia e golit jashtë fushe të përcaktojë se ku do të luhet faza e tretë. E kur të gjithë do donin ta luanin në shtëpi fazën e tretë, futbolli do të hapet dhe do të merrte vlerë jo vetëm çdo pikë, por edhe çdo gol dhe çdo minutë e ndeshjeve.
Goli do të kërkohet nga secila skuadër deri në minutën e fundit dhe futbolli do të hapet. Goli i jep bukurinë futbollit. Pra, secili ekip nuk mendon vetëm për planin e këtij 90-minutëshi, por bën edhe një plan për të ardhmen. I kam provuar të gjitha skemat dhe e them në mënyrë absolute se është shumë e vlefshme.
Po në raport me lojtarët profesor, keni ndonjë tezë?
Kam dhe mbase për këtë, mund të kërkohet edhe ndonjë “kundërshtim” i rregullave të UEFA-s apo FIFA-s, por le ta bëjmë shkencën aplikative. Unë jam i idesë që të ketë një 18 vjeç me detyrim në formacionin titullar. Unë jam ekstremist fare që të jetë edhe 17, por më së paku po them një 18-vjeçar në ekipin titullar me detyrim.
Pse është kaq i rëndësishëm në të mirë të futbollit, a nuk do të stononte një djalosh i tillë në elitë?
Jo, përkundrazi. Ti aty nuk merr dot as djalin tënd, as kushëririn dhe asnjë të njohur. Por do të marrësh atë që e meriton sepse do ta nxjerrësh para mijëra tifozëve në stadiumin e ri kombëtar apo kudo qoftë. Nuk e prish Tiranën apo cilindo ekip shqiptar një djalosh 17-vjeçar në formacion, pasi ai është violina e 12-të.
Jo vetëm kaq, por për ta pasur gjithmonë një të tillë në formacion, nga 24 që janë të federuar, ekipi detyrohet të gjejë 3 apo 4 të tillë talente cilësore dhe premtuese. Le të bëhen edhe 26 të federuar. Për të paktën dy vite, bëhen tetë lojtarë që ndërtojnë boshtin e këtij ekipi që i garantojnë të ardhmen. Mund edhe të gabohet në këto përzgjedhje, ama e rrisin ekipin në vazhdimësi.