Opinion nga BESNIK DIZDARI*

Po kush qenkam unë që paskam të drejtë të njoh kampionate të futbollit? Jam thjesht një prej qytetarëve të shumtë që e dua këtë vend, por që kam fatin të jem edhe një gazetar dhe historian i sporteve. Dhe me këtë status civil, qytetar, shqiptar, kulturor, njerëzor dhe atdhetar, mbi 9 vjet më parë, në 2004, për herë të parë në histori, përmes librit tim të posaçëm (ekskluziv), të çmueshëm sa s’ka ku shkon më, me titullin “Historia e Kampionateve në Shqipëri, vitet 1939-40″ të cilin e ka përmendë këto ditë deri diku vetëm gazeta “Panorama Sport”, kam treguar dhe vërtetuar se si gjatë pushtimit italian Shqipëria ka organizuar tri Kampionate Kombëtare të Futbollit, njeri prej të cilëve madje edhe me skuadra të Kosovës. Dhe, në këtë rast, u kujtoj të paditurve apo mosnjohësve të historisë së këtij vendi se me “kombëtare” këtu kuptohet pjesëmarrja e skuadrave të të gjithë qyteteve të Shqipërisë në këto kampionate. Prandaj, përveç të tjerave, edhe quhen Kampionate Kombëtare.
Këto Kampionate “zbulova”. E vë në thonjëza për të kuptuar se në të vërtetë nuk i kam zbuluar unë, se ata aty kanë qenë. Vetëm sa i nxora prej thellësive të dokumenteve dhe shkrova një libër të tërë qysh në 2004-ën. E dini çka është ai libër, që përmban qindra emra, data, rezultate, episode, gjeopolitikë, argument shkencor? Ai libër – që për fat është shitur i gjithi falë lexuesve atdhetarë shqiptarë – është muaj e javë të pafund pune, orë të panumërta të natës e të ditës, verifikime të çmendura për kah mundimi, ngujim në bibliotekë sa të bëhesh “armik” edhe me punonjëset aty. E mandej të shkruarit dhe prapë verifikime, arkivime, plotësime, “errata corrige”. E për çka? Thjesht për futbollin. Mos ndoshta duhet të pendohem? Aq më tepër që nuk është fjala për ndonjë kryevepër të llojit. Është fjala thjesht për një histori të llojit.
Me çfarë mendimesh dhe gjykimesh absurde dëgjoj e lexoj këto ditë, e shoh qartë se asnjë prej kundërshtuesve apo komentuesve, jo vetëm nuk e kanë lexuar atë libër, por ndoshta as nuk e dinë nëse ai ekziston, përderisa nuk e përmendin aspak, sepse duket që janë prej asish, të cilët lexojnë pak. Ose vetëvuajnë prej një shpirti bizantin. Por, ndoshta ka marrë fund leximi në mjedisin tonë sportiv! Lulëzon vetëm komenti televiziv plot britma për ndeshjet e shteteve të tjera dhe “bashkëbisedimet” këmbë mbi këmbë në studiot televizive me një “kompetencë” që do të na e kishin lakmi edhe komentatorët më të famshëm europianë të djeshëm e të sotëm; prej Gabriel Hanot e Nicolo Carosio, prej Brian Glanville e deri te Gianni Brera e Maurizio Barendson, sa për të përmendur nja tre a katër artistë të pendës së futbollit.
Ato kampionate i “zbuloi” gazetari pra, kurrsesi Federata Shqiptare Futbollit, e aq më pak Asambleja e Përgjithshme e saj. E megjithatë, nuk ka pse të krenohemi fort për këtë, sepse dihet, gazetarët dhe historianët këto punë i kanë domenin e tyre.
Them u “zbuluan” prej nesh, sepse as Loro Boriçi, as Met Vasija, as Muc Koxhja, as Besim Fagu, as Xhevdet Shaqiri, as Isuf Pelingu apo Skënder Begeja, me të cilët pata një miqësi të sinqertë, nuk patën guxuar t’i përmendnin këto kampionate të fashizmit, që ua “prishnin” biografinë. Me sa duket po u prishet “biografia” disa “pinjollëve” të sotëm vetprotagonistë të futbollit të tashëm shqiptar. Prej të cilëve pra, ka edhe nga ata që kanë veç nja pak vite që po në mënyrën e tyre të vetëkënaqur po merren me futbollin, me gazetarinë, apo me “polemikat”. Çka natyrisht bëjnë fort mirë që merren, veçse para se të merren u duhet të studiojnë, të lexojnë, të hulumtojnë, të mësojnë, të shënojnë, të përimtojnë, siç kemi bëri të gjithë ne, të brezit tonë, apo atij mazrekjan para nesh, prej të cilit ne mësuam aq fort. E pse jo, të shkruajnë – ashtu siç disa edhe kanë shkruar – edhe studime e libra historikë. Aq më tepër sot kur dihet se të paktën arkivat e sportit, në një farë mënyre, vetvetiu janë hapë. Dhe gjithnjë me krye ulët. Sepse veç kështu mund të mësohet për së mbari edhe gazetaria, edhe historia, edhe profesioni i punonjësit të FSHF-së, apo njeriut të zot e të ditur të futbollit apo sporteve. Nuk kisha dëshirë assesi ta shkruaja këtë editorial historie.
Ashtu si dhe shumë të tjerë jam mësuar me injorimin, me harresën tipike shqiptare, me mosmirënjohjen, me mosvlerësimin, me rrëmbimin e meritave të tjetërkujt. Dhe sot, në këtë moshë, nuk kam më asnjë ambicie profesionale. Mirëpo, kur pashë se gjithçka po kalonte në absurditet, nuk rezistova më tej. Kësisoj u detyrova t’i shkruaj këto radhë mû kundër absurditeteve.
Dhe nuk ka absurditet më të madh se sa kjo: që Asambleja e Futbollit do të votoka që të njohë tri kampionate të futbollit tashmë të stërnjohur. Çka do të thotë se kjo lloj njohjeje “sui generis” e këtyre kampionateve, me që qenka rregulli i votave 50+1, do t’u varka, për shembull, në votën e ndonjë punëtori të ri të futbollit, siç thonë në Kosovë. Bie fjala nga Ballshi a Kopliku, apo qoftë dhe nga Tirana e Shkodra, Fushë Kruja apo Gramshi! Mirëpo, historia e botës nuk njeh raste që të votohet kështu për historinë. Aq më tepër prej atyre, të cilët nuk e njohin assesi historinë.
Kështu pra, nëse këta votues të krahinave – ndonëse nuk kanë idenë se çka janë këto kampionate, ose sapo kanë mësuar diçka në tym prej shkruesve ahistorikë – do të votojnë kundër, atëherë kjo do të thotë se këto kampionate nuk ekzistojnë, pra nuk janë zhvilluar, nuk janë luajtur. Turp! Njëqind herë turp!
Vërtet, kush na i futi këto mënyra sot në demokraci, që e ktheka edhe njohjen e historisë sportive si në fushatat e zgjedhjeve politike? Duke mbërritur madje deri aty sa, meqë SK Tirana kërkon dy titujt e saj të viteve ’40, t’i quhet “konflikt interesi” një anëtari të KE-së të FSHF-së, po të merrka pjesë në këtë votim, sepse paska luajtur pak vite me Sportklub Tiranën, kur ndoshta po kaq ai ka luajtur me Luftëtarin e Gjirokastrës? Si guxon vërtet, një njeri, qoftë i Partizanit apo i Dinamos a s’di se kujt, që me një vetëkënaqësi e kompetencë absurde, të thotë se “unë nuk do t’i njoh këto kampionate”. Po cili i dha të drejtën këtij punonjësi të na votoka për historinë tonë kombëtare?! Si të ishte fjala për ta bërë Kampionatin me 10 apo 12 skuadra?…
Dhe a e dini se të kujt janë këta kampionate? Janë të Naim Kryeziut e Riza Lushtës, të Loro Boriçit e Sllave Llambit, të Foto Jankut e Prokop Muyzeqarit, të Zyber Lisit e Haki Korçës, të Rudolf e Mark Gurashit, të Adem Karapicit e Fisnik Xharrës, të Klani Marjanit e Ruzhdi Bizhutës, të Shevqet Jolldashit e Shevqet Lamçes, të Muc Koxhjes e Skënder Gjinalit, të Bimo Fakjes e Reshit Rusit, të Ernest Halepianit e Met Vasisë, të Vasip Alushit e Nani Sallatës, të Ymer Sharrës e Teli Ndinit, të Lef Sallatës e Vllas Arapit, të Millorad Jeremiqit e Fiqiri Tartarit, të Demir Carës e Qamil Telitit, të Adem Smajlit e Latif Alibalit, të Miço Plluskës e Ndue Palit, të Hasan Maluçit e Hasan Ballës, të Xhavit Demnerit e Mexhid Dibrës, të Tas Bylykut e Ali Vishës, të Besim Fagut e Mazllum Xërxës, të Tahir Pukës e Bahri Kavajës, të Muhamet Dibrës e Isuf Pelingut, të Xhevdet Shaqirit e Ahmet Nutit, të Skender Begejës e Rexhep Spahiut, të Akil Deranit e Arif Pezës, të Ramadan Vraniqit e Tiç Parapanit, të Nexhip Morinës e Mustafa Hencit, të Sabaudin e Vasif Biçakut, të cilët edhe mbas Luftës i dhanë jetë rifillimit të Kampionateve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ju kujtojmë: pa këto tri Kampionate 1939, 1940, 1942 vështirë se Shqipëria do të kishte futbollistë aq të mirë dhe të formuar sa me ta të mund të bënte Kombëtaren – Kampione të Ballkanit 1946!
Mû për gjitha këto, e plot të tjera që po i lë për një herë tjetër, kam fort dëshirë që Asambleja e Futbollit të mos i njohë Kampionatet e Luftës. Për mua, si njeriu që ua risolla (quajeni vetëkënaqësi këtë po të doni, mirëpo me mosmirënjohësit e harruesit e qëllimshëm, nuk ka rrugë tjetër) tri Kampionatet e Luftës aty janë. Madje, unë për vete (dhe jo vetëm unë), ka gati dhjetë vjet që i njoh ata. Për më tepër përmbledhjen e këtyre tri kampionateve e kam ribotuar edhe në dy libra të tjerë në vëllimet 4 dhe 5 të “Historisë së Kampionateve të Shqipërisë”. E theksoj këtë si një informacion “të ri” për “zbuluesit heroikë” të mbas dhjetë vjetëve, këtyre të orëve të fundit.
Më kujtohet gjithnjë viti 2004, kur asnjë gazetë sportive e asokohe nuk denjoi të shkruante as dy rreshta për botimin e librit në fjalë. Nuk prishi punë megjithatë. Nuk ndala dhe, qysh në 2004- ën, nuk u lodha duke i botuar e ribotuar dhe pse dikush nënqeshte nën zë! E tash formojnë komisione “studimore” krejt të pavlerë e të panevojshëm, kur gjithçka njihet më së miri qysh prej një dhjetëvjetëshi? Çka do të thotë se tashmë prej lexuesve të mençëm, prej dashamirëve të sporteve, njerëzve të ditur e të kulturuar të futbollit e të vetë kulturës kombëtare, këta Kampionate janë stërnjohur. Pra, qysh se u “zbuluan”, u shkruan, u botuan e iu lanë aty Shqipërisë sime dhe tuajës. Ndërkaq, siç e dini, kujtoj se prej rreth 15 vjetëve i kam “zbuluar” po Shqipërisë edhe Kupën e parë Kombëtare të Futbollit, atë të vitit 1938-39, të cilën sot e gjen në të gjithë botimet ndërkombëtare.
Është e vërtetë, futbolli shqiptar ka ende për të zbuluar për së mbari historinë e tij. Por ja që e kam për fyerje vetjake, nëse Asambleja e Futbollit i njeh tri kampionatet. Sepse një diçka që është njohur për bukuri një herë, nuk ka nevojë të njihet për herë të dytë. Pa harruar ndërkaq se Asambleja nuk ka tagër për t’i njohur ata. “Almanacco Illustrato del Calcio” – botimi i përvitshëm më autoritar i historisë së futbollit në Itali po dhe në Europë – papritmas vitet e fundit njeh si Kampione të Italisë të vitit 1944, skuadrën e Zjarrfikësve të La Spezia- s, edhe pse deri më sot asnjë Asamble e Federatës Italiane të Futbollit nuk është mbledhur për ta votuar këtë kampionat. Nuk është e nevojshme kjo, sepse Kampionati 1943- 44 i Italisë, ashtu si në rastin e tri Kampionateve tona i “zbuluar” edhe ai vitet e fundit, është aty si një pjesë e vetë kulturës dhe sporteve të Italisë. Por, më 22 janar 2002, Këshilli i Federatës Italiane të Futbollit, pa asnjë lloj votimi të tipit shqiptar, pa e zgjatur aspak, ka bërë një gjest nderimi tejet kuptimplotë: i ka dorëzuar një Medalje të Artë trupit të sotëm të Zjarrfikësve të La Spezias si Kampion i Italisë 1943-44. Madje, nga ana e saj, Federata Italiane e Futbollit i ka dorëzuar qytetit La Spezia një targë, një lloj “scudetto” të kujtimit, siç edhe e ka quajtur, duke i propozuar klubit të tij të sotëm vendosjen e saj si një emblemë të posaçme në fanellën e skuadrës. Këto po, janë punë me mend.
Do të përmend ndërkaq, faktin më të rrallë që ka të bëjë me themelimin e vetë Federatës Shqiptare të Futbollit. E pra, askush deri më sot nuk e ka ligjëruar (juridiksuar) këtë themelim me asnjë lloj vendimi a votimi. Le të më gjejë Asambleja e Futbollit apo vetë FSHF-ja një dokument të vetëm për themelimin e Federatës Shqiptare të Futbollit më 1930. Atëherë? Mos ndoshta, me që na mungon dokumenti juridik i këtij themelimi, ne nuk duhet ta pranojmë themelimin e FSHF-së në 1930-ën, e kësisoj as pranimin e saj në FIFA në 1932- in?…
Kujtoi ndërkaq, se andej nga mesi i viteve ’60, pak pikë turpi, Partia e Punës – mohuesja e madhe e krejt Kampionateve të viteve ’30 – bëri një Konferencë të bujshme dhe “themeloi” Federatën Shqiptare të Futbollit, mbas plot 30 vjetëve ekzistencë dhe pranimit të saj në FIFA! Mos u çuditni, ka ndodhë edhe kjo mrekulli! Kur më parë, po pa pikë turpi, më 2 korrik 1945, po PPSH “themeloi” Federatën Sportive Shqiptare, e cila ishte themeluar nga Mbretëria nja 15 vjet më parë! Prej ku dhe rrodhën Federata Shqiptare e Futbollit dhe e Atletikës së Lehtë, që u pranuan menjëherë në Federatat Ndërkombëtare në vitet ’30.
Ju lutem, merrni mundimin dhe lexojini botimet edhe për këto ngjarje shqiptare “ad absurdum”, sepse leximet gjithmonë të ndihmojnë fort për të ditur dhe gjykuar më shumë, më saktë, më vërtetësisht. Tash, “me që fjala fjalën nuk e mund”, siç shkruante Fishta, po e mbyll me besimin se gazeta do ta botojë disi të zmadhuar dhe të qartë këtë frontespic të faqeve të shtypit 1939-40 që i kam botuar disa herë, për t’u lexuar sot sa më qartë këta tituj-dokument që nuk kanë nevojë për asnjë koment.
Ju lutem lexoni:
“Kampionati shqiptar i foot-ballit do të fillojë simvjet më 1 korrik”!
“Për të parën herë Shkodra fiton Kampionatin Kombëtar të Futbollit”!
Nuk janë rrêna. Janë tituj – dokument të viteve 1939-40.