Dora e shtrirë drejt Amerikës, një sy i mbyllur për botën arabe, por përsa iu përket favoritëve nuk ka dyshime: kandidatët për ta fituar Botërorin e ri për Klube janë të gjithë europianë. Vetë Gianni Infantino, ideatori dhe promotori i këtij kompeticioni të zgjeruar me 32 skuadra, që nis më 15 qershor në SHBA, ka treguar emrat e mëdhenj: “Favoritë janë padyshim Real Madridi, gjermanët e Bayern Munich dhe francezët e PSG. Janë klube të mëdha, shumëkombëshe, me lojtarë nga e gjithë bota”.

Në radhën e parë tani më shumë se kurrë është pikërisht PSG i Luis Enrique. Një sezon triumfues për parizienët, me tripletën e arritur (më parë titulli në Francë, me disa javë avantazh, më pas Champions i fituar në Mynih në mënyrë madhështore, me “pesëshen” ndaj Interit dhe Donnarumma që ngriti trofeun më të rëndësishëm të kontinentit). Në rolin e favoritëve është edhe Real Madridi, që vjen në këtë turne me “revolucion” në pankinë. pas një sezoni “zhgënjyes” (por vetëm sepse flasim për Realin) dhe largimit të Ancelottit, do të jetë Xabi Alonso, trajneri i ri që do t’i udhëheqë “Los Blancos” drejt objektivave të larta.

Të kualifikuar falë renditjes për arritjet në Champions gjatë viteve të fundit, gjermanët e Bayernit mbeten gjithmonë një skuadër që duhet mposhtur. Fitues të titullit të 34-t në Bundesliga, bavarezët e drejtuar nga Kompany janë me të drejtë ndër favoritët për titull. Po ashtu edhe Manchester City që, edhe pse vjen nga një sezon zhgënjyes, falë suksesit të viteve të fundit në Champions është futur në mesin e 12 europianëve pjesëmarrës. Guardiola në SHBA do të kërkojë të rikthehet madhështor si gjithmonë.

Në top 5 të favoritëve, bastvënësit kishin futur edhe Interin, por sigurisht, zhgënjimi i madh i finales së Champions-it nuk mund të mos ndikojë mbi një skuadër që ëndërronte tripletën dhe përfundoi me zero tituj. Kampionati i humbur, Kupa e Italisë gjithashtu, ëndrra Champions që u kthye në makth në 90 minuta mungesë loje në qytetin bavarez, i kanë “minuar” pritshmëritë e zikaltërve dhe të trajnerit të ri Cristian Chivu, që zëvendësoi Simone Inzaghin e larguar në Arabi.

Ndërkohë, italianja tjetër, Juventusi, paraqitet si “outsider”, por me dëshirën për t’u treguar si skuadër e madhe në skenën ndërkombëtare. Vlahovic me shokë duket se do t’i përballojnë ndeshjet në Amerikë me seriozitet, duke marrë parasysh se trofetë kanë munguar prej kohësh. Në pankinë do të jetë Igor Tudor, asnjë ndryshim i madh, pasi drejtori i ri sportiv Comolli ka konfirmuar trajnerin kroat edhe për sezonin e ardhshëm.

Një aristokrat disi i rënë konsiderohet Chelsea “italian”, me Enzo Maresca në pankinë. Londinezët sapo kanë fituar “Conference League” dhe pa shumë presion kërkojnë të shfaqen sërish në skenë. Në analizat e detajuara të kuotave të basteve, dy ekipet realisht në garë për trofeun janë Real Madridi dhe Manchester City. Podiumi virtual plotësohet nga PSG, menjëherë pas vjen Bayern Munich, ndërsa Chelsea dhe Inter janë ndjekësit e parë. Një shans iu jepet edhe Atletico Madridit të Simeones, ndërsa diferenca me të tjerët është e dukshme, përfshirë Juventusin dhe Borussia Dortmundin.

City dhe Real, si kokë grupi, janë vendosur në dy “krahë” të ndryshëm të shortit. I njëjti kriter është ndjekur edhe për dy kokat e grupit nga CONMEBOL, Flamengo dhe Palmeiras, si dhe për të tjerët, të cilët janë renditur të tretët dhe të katërtit nga Europa dhe Amerika e Jugut (PSG, Bayern, River Plate dhe Fluminense). Struktura e shortit shpjegon pse Manchester City dhe Real Madridi konsiderohen qartazi si dy favoritët kryesorë për triumfin përfundimtar. Gjithashtu, edhe spanjollët janë vendosur në një grup (Grupi H) të kalueshëm, së bashku me Al Hilal, Pachuca dhe Salzburgun.

Me fjalë të tjera, nëse fitojnë grupet e tyre, “Citizens” dhe “Merengues” mund të përballen në gjysmëfinale. Ajo që sipas bastvënësve mund të konsiderohet si një “finale e parakohshme”, mund të ndodhë edhe më herët. Teorikisht, Real Madrid-Manchester City mund të luhet edhe që në fazën e 1/8-ve, nëse njëra prej tyre del e dyta në grup dhe tjetra fiton grupin e vet./telesport/