Skënderbeu hyn në fazën më të nxehtë të javës duke përgatitur ndeshjen e parë të kampionatit që do të luhet të hënën kundër Elbasanit në Korçë. Një ndeshje të cilës trajneri Ivan Gvozdenoviç po i jep shumë rëndësi dhe mbi të gjitha vlerësim.

Prej ditës së djeshme serbi i pankinës korçare ka filluar edhe nga këshillat për të tijtë pasi kërkon që të jetë i bindur se gjithçka do të jetë perfekte sa i përket zbatimit dhe interpretimit të lojës. Në kushtet kur nuk ka asnjë informacion se si luan kundërshtari dhe çfarë cilësish dhe mënyrë loje zbaton, vështirësia për Skënderbeun rritet. Ndaj edhe për këtë trajneri bardhekuq ka kërkuar të ndërtojë një ekip të zgjuar dhe pragmatist në fushën e lojës.

Gjë që ditën e djeshme ja u ka përsëritur vazhdimit të tijve para nisjes së seancën stërvitore: “Të hënë luajmë ndeshjen tonë të parë dhe do të jetë një përballje shumë e vështirë që do të kërkojë zgjuarsi dhe interpretim nga ana jonë. Ndaj duhet që të bëjmë ndeshjen perfekte për të shmangur surprizat dhe të marrim tre pikët e para të këtij kampionati. Luajmë në fushën tonë dhe jemi Skënderbeu ndaj na takon që ta nisim mirë.

Por, kemi përpara një ekip shumë të fortë që ka bërë një merkato të mirë dhe ka cilësi të paktën nga emrat që ka arritur të afrojë. Por, nuk kemi asnjë informacion për mënyrën e lojës dhe atë që aplikon në fushë skuadra kundërshtare. Prandaj ju kërkoj që të jeni pragmatistë në çdo mundësi që do të paraqitet dhe të kujdesshëm. Na lind për detyrë që të studiojmë kundërshtarin, por njëkohësisht të kemi ne iniciativën dhe kontrollin e lojës për të mos e lënë kundërshtarin të na rrezikojë. Është një ndeshje e vështirë dhe prandaj duhet të bëni takimin perfekt për të marrë më të mirën.”- u tha veç të tjerash seancën e djeshme trajneri Ivan Gvozdenoviç lojtarëve në takimin para daljes në fushë për seancën stërvitore.

ZGJEDHJET Duket se për ndeshjen e parë të sezonit Skënderbeu do të jetë thuajse 90% i njëjtë me atë që mbylli edicionin e kaluar duke mos bërë ndryshime të mëdha si në reshtim ashtu edhe në emra lojtarësh që do të hyjnë në fushë nga minuta e parë. Porta dhe prapavija nuk kanë shumë ndryshime veç Ramos që do të luajë titullar në vend të të larguarit Randi. Në mesin e fushës janë sërish tre lojtarë të edicionit të kaluar me Jurin si fantazist në vend të Liços që u largua, ndërsa në sulm është risia e vetme e këtij ekipi, ganezi Bismark. Një ekip që nuk ndryshon shumë dhe mban të njëjtin bosht lojtarësh për të dytin vit radhazi.