Një ndër kolosët e futbollit shqiptar, protagonist i Kombëtares, Sabah Bizi, i rikthehet asaj sfide me disa kujtime të rralla. “Gjysmë shekulli nga ai takim, sa larg dhe afër më duket. Edhe sot gjykoj se rezultati më i drejtë do të ishte barazimi”, thotë ai për “Panorama Sport”.


Bizi, nga viti 1967 te 1971, katër herë përballë Gjermanisë. Çfarë mbani mend?

Kam qenë titullar në të katër takimet e luajtura. Në Dortmund, në 1967, isha në moshë të re. Pastaj dy herë në Tiranë dhe më pas në Karlsruhe. Janë të paharruara ato kujtime.

Mund të na thoni diçka të veçantë për takimin e 17 shkurtit 1971?

Të gjithë u befasuan kur panë Ziun në formacion. Kujtuan se do të luanim me dy mbrojtës të majtë, por pas ndeshjes u sqarua motivi. Boriçi e kishte studiuar mirë atë vendosje për të frenuar daljet e Vogsit në sulm. Kujtoj shanset e Panos dhe të Ziut. Kemi humbur disa raste të pastra. Të gjithë kanë luajtur mirë në atë takim, Pano veçanërisht.


Keni mbajtur fanellën me numrin 11, pse?

Ka një histori të veçantë ky numër. Ishte një truk i Boriçit. Në ndeshjen e 17 dhjetorit, ai më këshilloi të luaja me këtë numër. Pas atij barazimi, Boriçi nuk e kishte harruar dhe më 17 shkurt më tha të mbaja sërish 11-ën. Numrat në ato vite tregonin pozicionin në fushë dhe numri 11 mund t’i çorientonte kundërshtarët. Prandaj nuk kam mbajtur 9- ën, numrin tim. Madje, në atë takim, asnjë lojtar nuk e mbajti këtë numër.


Bizi-Bekenbauer, një sfidë midis sfidave?

Në mesfushë kam luajtur me Bekenbauerin. Në një çast ia rrëmbeva topin dhe iu drejtova portës në drejtim të orës. Ai më ndoqi nga pas, por u pengua me mua dhe unë rashë në tokë, duke shkaktuar faull. M’u afrua, më dha dorën të ngrihem. Nën zë dëgjova “Sehr schlecht” (shumë keq), që e tha për veten e tij.

Ju kujtohet goli?

Myleri shënoi dy gola. I pari, që u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa i dyti erdhi nga një faull i shkaktuar nga Ziu ndaj Grabovskit. Netzer ekzekutoi pak diagonal nga tribuna, topi te Myler që ishte në zonë i pambuluar. Ai goditi në një distancë 10 metra me të majtën dhe vetëm kur e pamë topin në rrjetë, në gjysmë lartësie në të djathtë të Dinellës nga porta veriore. Fillimisht e kujtuam për pozicion jashtë loje. Pranë tij ishte edhe Hejnkes.

Pastaj banketi zyrtar… Çfarë ndodhi aty?

Ishim disa, 6-7 futbollistë që shkuam në Sabah Bizi: Duel special kundër Bekenbauerit Legjenda shkodrane: E pamë bashkë ndeshjen në divan mbrëmjen e organizuar në hotel “Dajti”. Mbërritëm në kohën kur ata po shihnin në një monitor ndeshjen. Kujtoj se Bekenbaueri u çua dhe më ftoi të ulesha me të. Ambienti kishte disa kolltukë të gjerë dhe aty qëndruam bashkë e pamë takimin.


Disa prej atyre protagonistëve nuk jetojnë sot…

Fatkeqësisht janë ndarë nga jeta trajnerët Boriçi e Shuke, masazhatori A. Kastrati, mjeku I. Feta, kapiteni Pano, Dhales, Kasmi, Cani, por edhe Berisha, Hyka e Zhega, pjesëtarë të grupit.