Kombëtarja shqiptare U-21 barazoi 1-1 ndaj Sllovenisë U-21 në ndeshjen e parë miqësore të muajit qershor, e zhvilluar në stadiumin “Ajdovščina”. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi zhvilluan një paraqitje pozitive, duke treguar karakter dhe organizim përballë një kundërshtari cilësor.
Shqipëria e nisi takimin me formacionin: Giulio Veliaj (GK), Arlind Kurti, Ervin Bashi, Zylyf Muça, Elton Fikaj, Enes Osmani, Burak Alili, Feta Fetai (C), Etnik Brruti, Erald Maksuti dhe Kevin Dodaj. Siç shikohet në formacion nga minuta e parë në këtë ndeshje kanë qenë edhe katër shkodranët Ervin Bashi, Elton Fikaj, Erald Maksuti dhe Kevin Dodaj.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dy skuadrat që kërkuan të kontrollonin lojën. Në minutën e 25-të, Feta Fetai fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Etnik Brruti, duke i dhënë avantazhin Shqipërisë. Pak minuta më vonë, kuqezinjtë iu afruan edhe golit të dytë, por tentativa e Burak Alilit u ndal nga portieri slloven.
Në pjesën e dytë, vendasit arritën të barazonin shifrat me Leo Rimac. Megjithatë, Shqipëria vazhdoi të kërkonte golin e fitores deri në fund të takimit. Ervin Bashi dhe Elmedin Rama krijuan raste të mira shënimi, por pa mundur të finalizonin.
Gjatë pjesës së dytë, trajneri Alban Bushi kreu disa zëvendësime, duke aktivizuar edhe Shehun, Përndrecën, Ramën, Asanin, Tomën, Kacurrin dhe Dakën.
Kombëtarja U-21 do të luajë ndeshjen e dytë miqësore më 8 qershor ndaj Italisë U-21, në stadiumin “Omero Tognon”, duke nisur nga ora 18:15. Në pesë ndeshjet e fundit, Kombëtarja U-21 ka regjistruar katër fitore dhe një barazim.


