Esin Hakaj nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Kontrata e tij me këtë skuadër ka përfunduar me datë 31 maj dhe si rrjedhojë palët nuk do të ulen në bisedime për të vijuar më tej bashkëpunimin.
Ka qenë vetë lojtari i cili ditën e djeshme përmes një story i ka thënë FALEMINDERIT Vllaznisë. Çka do të thotë se ky është “divorci” zyrtar mes palëve dhe tashmë 29 vjeçari do të vihet në kërkim të një skuadre tjetër.
Duhet thënë se sezoni që sapo u mbyll nuk ka qenë që vetë mbrojtësi i majtë priste. Ka luajtur në vetëm 10 ndeshje në kampionat, por edhe ato kryesisht si zëvendësues, teksa ka shënuar edhe një gol pikërisht në ndeshjen ndaj Partizanit të vlefshme për javën e tretë të kampionatit si dhe ka dhënë një asist në ndeshjen ndaj Dinamos të vlefshme për javën e dytë.
Me largimin edhe të Hakajt, Vllaznia kësisoj mbetet pa krah të majtë sepse siç dihet është larguar edhe braziliani Yago si dhe Kouro. Si rrjedhojë drejtuesve të klubit do t’u duhet të gjejnë sa më shpejt një apo dy mbrojtës të këtij krahu.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


