Shkruar nga Endri ÇINARI
Largimi i Jasmin Çelikoviç nga Vllaznia ishte një nga surprizat më të mëdha të fundjavës për ambientin kuqeblu. Mbrojtësi boshnjak e bëri të ditur vendimin e tij në përfundim të ndeshjes me Partizanin, të luajtur ditën e shtunë, duke konfirmuar kështu një divorc që për shumëkënd në Shkodër ishte i papritur. Çelikoviç konsiderohej prej kohësh si një nga shtyllat e prapavijës shkodrane dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit defensiv.
Pikërisht për këtë arsye, largimi i tij është një goditje e ndjeshme për Vllazninë, sidomos në një moment kur mbrojtja kuqeblu nuk ka dhënë garancitë e pritshme në javët e para të kampionatit. Boshnjaku kishte fituar një rol të rëndësishëm në formacion dhe largimi i tij e detyron stafin teknik të rishikojë alternativat në prapavijë. Një humbje e tillë në aspektin numerik dhe cilësor nuk është e lehtë për t’u kompensuar në mes të sezonit.
Megjithatë, duket se Vllaznia mund ta ketë zëvendësuesin brenda strukturës së saj. Bëhet fjalë për Floris Spahijan, mbrojtësin 23-vjeçar që është rikthyer këtë verë në Shkodër pas eksperiencës së tij në Kosovë. Spahija kishte parashikuar një tjetër aventurë në sezonin e ri, pasi ishte bërë pjesë e Prishtinës, por aventura me kryeqytetasit bardheblu nuk zgjati dhe lojtari u lirua nga kontrata.
Pas rikthimit në Shkodër, mbrojtësi është aktualisht pjesë e Vllaznisë B, ku është nën urdhrat e trajnerit Briken Bizi. Ai po vijon punën me skuadrën e dytë, në pritje të një mundësie për t’u rikthyer në nivelet më të larta dhe për të treguar se mund të jetë një alternativë reale për ekipin e parë.
Largimi i Çelikoviç dhe vështirësia për të afruar në merkato një tjetër mbrojtës me parametrat e duhur krijojnë tashmë një mundësi të artë për Spahijën. 23-vjeçari mund të kalojë nga një rol me Vllazninë B në një mundësi konkrete me ekipin e parë, duke pasur shansin të bindë stafin teknik se mund të jetë pjesë e zgjidhjeve për prapavijën kuqeblu.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellin javët e ardhshme. Spahija duhet ta shfrytëzojë këtë moment, të punojë fort dhe të jetë gati nëse i jepet mundësia. Largimi i Çelikoviç ka hapur një boshllëk në prapavijën e Vllaznisë, por njëkohësisht mund të ketë hapur edhe një derë të rëndësishme për një mbrojtës shkodran që kërkon të rikthehet në skenën e ekipit të parë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


