Robert Lewandowski është me fat. Në “Montilivi” festoi fitoren e Barçës ndaj Girona dhe, njëherazi, rrumbullakosi 100 ndeshjet e tij të para zyrtare me fanellën blaugrana. I lumtur për të parë skuadrën e Barçës duke udhëhequr kampionatin, i lumtur se dëshmoi sërish se mund të jetë edhe një herë shkatërrues dhe prestigjioz.

Polaku dëshironte ta festonte me “Mundo Deportivo” hyrjen e tij në listën historike të lojtarëve me së paku 100 ndeshje te Barcelona. Me këtë rast zbuloi edhe objektivin e afërt personal; 100 gola si katalanas.

Kjo shifër, e nisur si sfidë në takimin miqësor dhe ekskluziv me këtë gazetë, ka dy anë. Në njërën, sulmuesi polak do të dëshironte të arrinte 100 gola në Champions League. Ai shkon drejt golit të 94-t në këtë kompeticion dhe ka mundësi ta rrumbullakosë shifrën 100 në këtë njëjtin edicion.

Ai duhet të shënojë edhe 6 gola për këtë “jubile”, me të paktën 8 ndeshje në dispozicion, e para prej të cilave të enjten kundër AS Monaco në “Stade Louis II”. Vetëm Cristiano Ronaldo me 141 gola në 187 ndeshje dhe Leo Messi me 129 gola në 163 ndeshje e kanë tejkaluar këtë “stacion”.

Asnjëri prej tyre nuk mund ta zgjasë “pajën” e tij në Champions, sepse dihet ku luajnë tashmë. Edhe Mbappé është shumë larg për momentin, me 47 gola në 73 ndeshje. E anasjellta e këtij qëllimi të shënimit duket gjithashtu në La Liga. Në më shumë se dy sezone te Barça, sulmuesi polak ka shënuar 63 gola në total. Shifër që ndahet në: 33 gola në sezonin e parë blaugrana, 2022-2023; 26 gola të tjerë më 2023-2024 dhe 4 gola të realizuar në këtë sezon (2024-2025).

Ai ka ende rrugë për të bërë, përpara se t’i bashkohet këtij “klubi” të përzgjedhur “shekullorësh”,të përbërë nga 21 lojtarë, që kanë arritur nga viti 1899, kur u themelua Barça, të shënojnë 100 gola. Kjo listë kryesohet nga Leo Messi, i cili shënoi 672 gola në 17 sezonet si lojtar blaugrana. Në reportazhin për “Mundo Deportivo”, sulmuesi polak “vuri bast” për të dyja sfidat 100-she.

Ndoshta Lewandowski ka kërkuar diçka më shumë kur, para se të shuante qirinjtë që mbanin numrin e rrumbullakët, bëri një urim. Ai nuk donte të shprehej, por rrezatonte besim. I vëmendshëm, miqësor dhe i buzëqeshur, polaku duket i lumtur në këtë fazë të re të Barçës.

Ardhja e Hansi Flick, një trajner me të cilin tashmë ka fituar një Champions League, e ka rigjallëruar atë, vetëm pasi ka mbushur 36 vjeç. Ai ka qenë tekniku që ka marrë performancën më të mirë prej tij: 82 gola në 71 ndeshje. Tani, ai ka shënuar 4 gola në 5 ndeshje të La liga-s.

Golashënuesi veteran, këtë verë ka refuzuar ofertat marramendëse financiare nga Arabia Saudite, sepse është i vendosur ta shfrytëzojë sa më shumë karrierën e tij te Barcelona. Atij i ka mbetur edhe një vit kontratë, plus një vit tjetër opsional për t’i rrumbullakosur dy shifrat 100, për të cilat folëm më lart. “Unë mund të shënoj më shumë gola se sezonin e kaluar”, – tha Lewandowski në parasezon. Askush nuk e vë në dyshim se mund t’ia dalë kësaj./telesport/