Dy buzëqeshje, një përqafim dhe një foto që ka aromën e legjendës. Roberto Baggio dhe Alessandro Del Piero së bashku, në një foto që ka goditur në zemrat e miliona tifozëve të Juventusit e jo vetëm. “Dy venetë në New York”, – shkruan “Bishtaleci Hyjnor” në profilin e tij në Instagram, por fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar forcën emocionale të atij imazhi. Dy ikona të futbollit italian dhe botëror, dy numra 10 që kanë magjepsur breza të tërë, krah për krah në qytetin që nuk fle kurrë.
Në këtë fotografi ka gjithçka; poezi futbolli, elegancë që nuk njeh kohë, nostalgji e atyre që e kanë parë topin të rrotullohej mes këmbëve të artistëve, jo thjesht sportistëve. Avokati Gianni Agnelli i cilësoi kështu, me stilin e tij të pakrahasueshëm: “Nëse Baggio është Rafaelo, Del Piero është Pinturikio”. Piktorë të topit, krijues bukurie. Dhe sot, si atëherë, mjafton një imazh për të zgjuar ndjenjat e fjetura, për të na kthyer pas në kohë, në një epokë ku talenti prekej me dorë dhe futbolli ishte art i pastër.
Konteksti është ai i Kupës së Botës për Klube, ku është e angazhuar edhe Juventusi, me New York-un që është kthyer në qendër takimi për ish-kampionë dhe fytyra të njohura, të cilët shëtisin mes eventeve dhe ndeshjeve. Takimi mes Roberto dhe Alex nuk është një rastësi e zakonshme. Është kryqëzimi i dy fateve, dy karrierave të kompletuara, që reflektojnë klas dhe personalitet. Nuk duhen fjalë të mëdha; mjaftojnë sytë e tyre, buzëqeshjet e sinqerta, ai përqafim që flet vetë.
Tifozët e kuptuan menjëherë. Postimi bëri xhiron e botës dhe mbushi rrjetin me komente plot dashuri e nostalgji. Claudio Marchisio, një nga “bijtë” më të dashur të Juventusit, la disa zemra të kuqe. Një gjest i thjeshtë, por me peshë të madhe. Pastaj dhjetëra mesazhe që vijonin: “Numrat 10 më të rëndësishëm në historinë e Juventusit”, – shkruan dikush. “Ju më bëtë të dashurohem me futbollin dhe Juventusin”, – rrëfen një tjetër. Ka edhe nga ata që, me ton kritik, por poetik, shprehen: “Ka më shumë futboll në këtë foto sesa në finalen e fundit të Champions-it. Ave, kapitenë”. Të gjitha i mbyll një fjalë e vetme: “Legjenda”.
Sepse ajo foto, në fund të fundit, nuk është thjesht një imazh. Është deklaratë dashurie për futbollin e dikurshëm. Atë të mbushur me fantazi dhe respekt, me vlera e heshtje, me djersë e lot. Ajo që Baggio dhe Del Piero përfaqësuan me një natyrshmëri çarmatosëse. Ata ishin më shumë se thjesht futbollistë; ishin simbole, modele, frymëzim për këdo që ka ëndërruar – dhe vazhdon të ëndërrojë – me një top mes këmbëve. Dhe ndërsa qyteti i New York-ut bëhet sfondi i këtij takimi special, mbetet vetëm një siguri: disa numra 10 nuk do të pushojnë kurrë së na emocionuari. Edhe duke qëndruar në vend, edhe të veshur thjeshtë, edhe vetëm me një foto. Sepse historia, kur është e vërtetë, nuk ka nevojë për titra…(telesport)