Vllaznia po vijoj çdo ditë me pëgatitjet për sezonin e ri, ku shkodranët përveç seancave stërvitore kanë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore. Por gjithashtu një vëmendje është edhe tek merkato, ku kuqeblutë duan të kompletojnë skuadrën në çdo repart. Po të hedhësh një sy rozës kuqeblu, çdo repart është i dubluar, duke krijuar mundësi zgjedhjeje për trajnerin Brdaric.
Kështu duke nisur nga porta ku përveç Qarrit është edhe Jukaj. Në mbrojtje nga e djathta është Gurishta dhe si dublant i numrit 2 mund të jetë Brahimi. Në qendrën e repartit të prapavijës skuadra ka emra si: Juriç, Stojanoviç, Pusi , Bajrami dhe Beci. E po ashtu në të majtë të mbrojtjes tashmë edhe me rikthimin e Spahijas është kompletuar linja. Ku rivaliteti i shkodranit për një vend titullari do jetë me Yagon.
Edhe në mesfushë opsionet janë të shumta për kuqeblutë. Kështu Krymi, Alivoda dhe Kahrimanoviç shikohen si titullarët e skuadrës. Por patjetër që një shans do kërkojnë edhe Deliu, Qato dhe Sala. Nga krahët e sulmit po ashtu rolet janë të dubluara. Gruda dhe Mala shihen si titullarë, por Dodaj, Çoba dhe Delaj po ashtu janë lojtarë që duan formacionin kuqeblu.
I vetmi pozicion i pa dubluar momentalisht tek Vllaznia është roli i qendër sulmuesit. Në këtë pozicion qëndron i vetëm Bekim Balaj. Kapiteni dhe sulmuesi kryesor i skuadrës, i cili momentalisht nuk ka një “rival” përsa i përket pozicionit të tij. Prandaj edhe tek kuqeblutë po kërkohet me ngulm në merkato një sulmues roli, i cili jo vetëm të jetë një opsion por edhe një futbollist që mund të bëjë diferencën në momentet kur kërkohet.
Endri ÇINARI