Marko Jovanoviç është kthyer brenda pak vitesh në një emër të njohur në futbollin shqiptar. Trajneri serb fillimisht ishte pjesë e stafit të Luftëtarit e Kukësit, para se t’i bashkohej Partizanit ku tashmë është asistent i Skënder Gegës.
Në një intervistë të dhënë për mediat në vendlindje ai ka folur për punën e tij në vendin tonë, duke e nisur pikërisht me eksperiencën te Partizani, të cilit iu bashkua në muajin janar.
“Ndeshjet dhe objektivat e skuadrës në kampionatin e kaluar nuk ishin në nivelin e kërkuar, kishte shumë ndryshime trajnerësh, kaluam një sezon shumë të keq.
Unë mbërrita në klub pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit. Në pjesën e dytë, nuk kasha një punë të lehtë, por ne disi ia dolëm që të siguronim një vend në Ligën e Europës.
Nuk ishim me fat në shortin për turin e parë dhe u eliminuam nga Maribor, i cili është një kundërshtar shumë cilësor, ne kishim një ekip të rinuar me emra të rinj.
Ishte e vështirë për ne që në një kohë të shkurtër të ndërtonim gjithçka, por shpresojmë për rezultate më të mira në kampionatin shqiptar”, shprehet ai.
Merita e mbërritjes së tij në Shqipëri i takon Mlladen Milinkoviç, i cili e mori si pjesë të stafit te Luftëtari e Kukësi, ndërsa më pas ai iu bashkua vetë Partizanit.
“Pas eksperiencës në Kinë, unë bëra një bashkëpunim të mirë me trajnerin Mlladen Milinkoviç, si asistent i tij te Luftëtari e pastaj Kukësi. Në janarin e këtij viti bëra një tjetër hap në karrierën time për t’iu bashkuar këtij klubi tjetër”, shpjegon Jovanoviç.
Jeta në Shqipëri i pëlqen, pasi pranon se ndjehet rehat këtu dhe në kushte ideale për të punuar. “Nuk kam pasur telashe deri tani këtu. Këtu me respektojnë dhe ndjehem mjaft rehat.
Në dy sezonet e mëparshme, klubet ku kam punuar kanë arritur rezultate të mira ndaj edhe vlerësimi për mua është rritur.
Kam shumë miq, kaloj pjesën më të madhe të kohës me përgatitësin atletik, italianin Korrado Sakone, i cili para Partizanit kishte kaluar 10 vite te Napoli. Ai është një person nga i cili kam mësuar shumë pasi ka punuar me emra si Benitez apo Sarri”, vijon ai.
Sa i përket kampionatit shqiptar, nuk ngurron ta krahasojë me atë serb, me përjashtim të dy superfuqive të Beogradit. “Rrogat e trajnerëve dhe lojtarëve këtu janë shumë më të larta se në Serbi, ndërsa cilësia e futbollit në Shqipëri është e një niveli të njëjtë si në vendin tonë.
Nëse ne përjashtojmë Crvena Zvezda dhe Partizanin e Beogradit, them se jemi në të njëjtin nivel.
Janë në rritje, liga është shkurtuar me 10 skuadra dhe kjo ka rritur cilësinë. Ndeshjet luhen me sistem me katër faza, ndaj ka shumë sfida të forta në një sezon.
Çdo sezon, janë katër skuadra që luftojnë për titull e po aq për mbijetesën. Cilësia është shtuar nga trajnerët dhe lojtarët e huaj”.
Një kapitull i veçantë është jeta në Tiranë, për të cilën ai jep përshtypjet më të mira. “Unë kam jetuar në Shqipëri prej dy vitesh por nuk ia kam dalë të mësoj gjuhën shqipe.
Tirana është një qytet i bukur dhe jetohet mirë. Shumë serbë jetojnë dhe punojnë këtu. Jetojnë edhe shumë italianë, ndaj shqiptarët kanë marrë stilin e tyre të veshjes dhe sjelljes.
Disa qytete në bregdet janë thuajse identike me ato italiane, i vizitoj sa herë që mundem dhe shpesh shkoj në Durrës, që është vetëm 25 kilometra larg Tiranës.
Më pëlqen, se nuk jam as larg shtëpisë, më mjaftojnë vetem 4 orë e gjysmë me makinë për të qenë në Vranje”, tregoi zëvendëstrajneri i Partizanit në këtë rrëfim të tij për jetën në Shqipëri. /vispsport/