Rubin Hebaj është lojtar i lirë aktualisht. Akoma është e paqartë çfarë po ndodh me karrierën e tij, pasi u kthye në idhull te skuadra e Andijon në Uzbekistan.
Kujtojmë se në janarin e këtij viti u transferua në elitën e futbollit arab, pikërisht te Al-Orobah për shifrën e 300 mijë eurove. Gjatë muajve që luajti me këtë skuadër, sulmuesi shkodran dha kontributin e tij për ngjitjen në Superligë.
Por ndërkohë mësohet se që nga kjo verë konsiderohet lojtar i lirë, ndërsa e ardhmja e tij është e mjegullt. Kujtojmë se për vitin 2023 u shpall dhe “Lojtari i Vitit” në Uzbekistan. Sulmuesi 26-vjeçar nga Shkodra mesa duket ka hasur probleme në Arabinë Saudite, ndërsa dokumentet e lojtarit mund të jenë çështje që e pengojnë për t’u zyrtarizuar diku tjetër.
Çdo gjë pritet të zgjidhet në ditët e ardhshme dhe nuk përjashtohet mundësia që atë ta shohim duke luajtur edhe në një nga skuadrat e kampionatit shqiptar.