Problematika e botimeve sportive përmes një interviste me autorin e këtij libri.

-Më duhet të të falënderoj Besnik, në radhë të parë për historinë e Sabah Bizit e shokëve të tij apo brezit të tij, siç dhe ke titulluar, por edhe për befasinë që më ke dhënë, duke na bërë “personazhe” në disa faqe edhe ne gazetarëve. Kjo ngjet për herë të parë në një libër të tillë.

– Faleminderit Namik. Por mendoj se për çka keni bërë ose më saktë me thënë, për çka kemi bërë ne, gazetarët e asokohe për sportet, them se në një mënyrë ose tjetër, jemi bashkudhëtarë me historinë, në këtë rast, të futbollit të atëhershëm.

Nëse nuk do të ishin gazetarët, sidomos ju gazetarët e Shkodrës, nuk mund të them se fati i Sabah Bizit do të ishte ndryshe, por do të them me plot bindjen se mbështetja që i keni dhënë atij dhe gjithë shokëve të tij ka luajtur një rol të vërtetë. Dihet, siç del edhe nga libri, ajo ka qenë një gazetari nën censurë dhe ne ishim të bindur ndaj Partisë sunduese.

Por duke përfituar edhe nga veçoria që mbart sporti, them se kemi bërë jo pak. Shkrimet tuaja, pra tonat, janë aty. Le t’i marrin t’i lexojnë të sotmit dhe do të binden. Nuk e kam fjalën thjesht për kronikat, që pa dyshim janë deri diku edhe të varfra për një qind arsye, por midis tyre ka pjesë të një gazetarie të vërtetë.

Pa shkuar mandej te shkrimet evidentuese apo tematike, në të cilat jemi munduar jo pak, ndonjëherë madje, siç do të dalë edhe në këtë libër, duke kapërcyer jo rrallë kufijtë e një censure të pamëshirshme. Në të vërtetë, më shumë se e jona, ashtu siç ishin rregullat strikte të asaj gazetarie, është meritë e kryeredaktorëve që kemi pasur fatin të kemi.

– Pikërisht kjo përcjellje e jetës së Sabah Bizit dhe brezit të tij përmes edhe gazetarisë së kohës, madje edhe gazetarisë së huaj, më duket se i jep librit një lloj origjinaliteti të veçantë. Unë për vete jam befasuar kur pashë qoftë dhe foto të disa gazetarëve, të botuara për çudi së bashku me ato të atyre futbollistëve të paharrueshëm të kohës së Sabah Bizit. Bile edhe gazetarë të Kosovës të viteve ’60, të lidhur jo pak me ngjarjet e bujshme në Kombëtare të Bizit e shokëve të tij në këto vite, që mbeten dramatike për çka ndodhi.

– E vërteta është se jam përpjekur që ky libër historie të ketë atmosferën e kohës, në disa kahe, që si të thuash, që kryqëzohen nga fusha e blertë te tribunat e spektatorëve, nga faqet e gazetave të mjedisit tonë publik, por dhe të atij të huaj. Deri dhe tek “estetika” ndikuese e futbollit, nëse mund të shprehesha kështu, te jehona, si të thuash, popullore që mbart futbolli.

– Më ka bërë përshtypje se ky libër nuk ka një kapitull të ndarë të statistikës së futbollit, siç ke vepruar në disa libra të mëparshëm, por statistika prapë është e pranishme, e paraqitur përmes tregimit të ngjarjeve, episodeve…

– Ashtu është. Kisha mendimin që ky libër i një historie, do të thosha portretizuese, statistika, shifrat, emrat e pafund të futbollistëve, sensacionet futbollistike, kthesat e rrugës së tyre të shkriheshin së bashku me episode e ngjarje që përcillen aty. Them se në këtë kompozicion, ky është një lloj libri që dallon kryekëput prej të mëparshmëve që kam botuar.

– Dhe në mos gaboj janë nja 20 libra…

– Tashmë bëhen 23, por kjo nuk ka fort rëndësi. Rëndësi ka se çka thotë lexuesi për këta libra, sa ata i rezistojnë kohës, sa tërheqin lexues, pra. Ky libër, mund të them pa ngurrim se është ndër ata që më ka lodhur më shumë.

Madje, në një lloj vështrimi, edhe më shumë se librat e vështirë që u krijuan pak a shumë prej një toke djerrë të burimit, si “Libri i Kombëtares” apo 5 vëllimet e “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”. Në fund të fundit, kompozicioni i këtyre është rrjedha hap mbas hapi, madje javore e historisë së tyre.

Kurse ky libër ka një kompozicion, si të thuash, tejet përzgjedhës, seleksionues. Pra, se çka dhe si do të veçosh më të qenësishmet e një periudhe, një epoke, një personazhi të madh të futbollit siç është Sabah Bizi, por dhe të shumë personazheve të tjerë që lidhen me të.

– Pikërisht, kjo mendoj se është një nga vlerat e dukshme të këtij libri. Të paktën për mua. Sabah Bizi nuk paraqitet diçka i vetmuar, ai është bashkë me shokët e tij, duke u formuar një lloj kompaktësie që përshkon gjithë librin. Të them të drejtën, kjo më ka tërhequr fort, aq më tepër kur si dhe kolegë të tjerë, sidomos ne, nga Shkodra, gjithçka e kemi përjetuar drejtpërsëdrejti, jo vetëm në ndeshje, por gjatë gjithë javës të jetës së një qyteti.

– Më duket se e gjithë kjo, që po e quaj “kujtesë kombëtare e fushës sportive”, vlen shumë sidomos për brezin e ri të sotëm që e do shumë sportin e futbollin, por që për shkak të “propagandës” së sotme i kanë mbetur sytë kryesisht te ndeshjet e ngjarjet e shteteve të tjera, temë kjo që siç e edhe ti e di, e kam trajtuar gjithnjë edhe në faqet e “Panorama Sport”. Për fat të keq, pa ia arritur ndikimin.

– Ndoshta ky libër do ta ketë ndikimin e vet…

– Këtë nuk e di; dhe e kam të vështirë ta parashikoj. Një gjë mund të them: ai popull që merret pak me dukuritë, historitë, problemet e tij kombëtare të të gjitha fushave, nuk përparon shpejt. Aq më pak nëse këto i trajton jo mirë e në mënyrë të pasaktë.

– Besnik, iu ktheva edhe një herë disa faqeve dhe më lindi një lloj dëshire që të krahasoja, t’i veja ato përballë njëra-tjetrës, çka më kthjellonte; dhe krejt papritmas u çudita se sa ngjarje, madje të bukura që kishin qenë, pse jo sa të shumta që kishin qenë. Ajo që më bëri përshtypje më fort është personaliteti njerëzor dhe sportiv i këtyre djemve, që i dhanë gëzime këtij populli në kohë shumë të vështira. Sabah Bizi ka qenë ndër më kryesorët…

– Sidoqoftë, Namik, them pa e zgjatur shumë, se i duhet lënë fjala lexuesit…

– Natyrisht. Nuk di nëse biem në një mendje, por kam përshtypjen se libri sportiv ende është diçka “e vogël” në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Unë jetoj në Firence prej vitesh dhe librat sportivë në Itali nuk ndalin. Sigurisht, kemi të bëjmë me një shtet të madh të një sporti po të madh…

– Mendoj se nuk mund të krahasohemi me Italinë as në këtë fushë…

– Megjithatë, diçka duhet bërë më shumë se kaq. Çka mendon ti për librin sportiv shqiptar?

– Përcaktim i bukur vërtet: “LIBRI SPORTIV SHQIPTAR”! Siç po më pëlqen ta shkruaj me germa kapitale. Temë e madhe për gazetarinë dhe historinë e sportit shqiptar. Sidomos për historinë e sportit shqiptar që, drejt me e thënë, ende nuk është shkruar assesi për së mbari. Madje, as edhe si një tekst shkencor universitar për studentët.

Nuk kemi një arkiv, nuk kemi një institucion të historisë së tij, qoftë dhe në universitetin a universitetet përkatëse. Për shembull, a nuk e sheh se edhe në botimet enciklopedike të Shqipërisë, nëse ka një fushë të diskriminuar në raport me fushat e tjera të jetës shqiptare, është pikërisht fusha e sporteve?…

– Në të vërtetë, meqë kam vite pa e vizituar Muzeun Kombëtar, nuk e di nëse ka aty një eksponat që i kushtohet historisë sportive kombëtare.

– Në një kohë që shtetet e tjera kanë deri dhe muze të posaçëm për historinë e sporteve të tyre.

– Ndoshta dëshira ka, por nuk mjafton dëshira. Më shumë se kaq kërkohet edhe këtu studimi, kërkimi. Më vjen keq kur lexoj shkrime historike që botohen, qoftë edhe për Shkodrën dhe habitem se çfarë pasaktësish dhe interpretimesh të gabuara që zbulon. Autorë të nxituar për të shkruar pa pikë zori edhe për ngjarje që as i njohin, as i kanë jetuar dhe as kërkojnë t’i hulumtojnë siç duhet. Sidoqoftë, edhe ky libër i yti mendoj se kontribuon për çka biseduam.

– Le të shpresojmë se është kështu…

– Si përfundim më vjen mirë që shumë ngjarje të librit “Sabah Bizi … Dhe brezi i tij” janë të paraqitura me seriozitet e saktësi historike. Si shok i vjetër i yti qysh në rini dhe deri në vitet e përbashkëta të gazetarisë, unë besoj fort tek Arkivi “Dizdari”.

– Të falënderoj për komplimentin Namik, por më shumë se kaq, më vjen mirë që kjo bisedë, qoftë edhe si një lloj publiciteti për librin, falë dashamirësisë së kësaj gazete, u përqendrua jo pak në problematikën e botimeve sportive në Shqipëri dhe të vetë trajtimit të historisë shqiptare të sporteve.

Nuk di a do të mund të ndikojmë sadopak, edhe në një drejtim tjetër, çka jam munduar ta kem kujdes përherë: rrëzimin e të pavërtetave përreth. Kjo gjithmonë më ka shqetësuar. Sidomos kur vërej që, edhe pse ia vërteton, bie fjala, një shkruesi të pavërtetat që mund të ketë shpalosë me vetësiguri, pse jo, edhe me pandershmëri profesionale, në vend që të të falënderojnë, rrudhin buzët dhe guxojnë edhe të përflasin.

Përfolje, çka sigurisht vetëm më bën të nënqesh paksa. Do ta vë edhe këtu thënien emblematike të Indro Montanell-it: “Një ditë e lumtur për mua është kur më del një gabim në gazetë, sepse është i vetmi rast që mund t’i kërkoj të falur lexuesit”. Sepse “padroni ynë është vetëm lexuesi”, siç ka lënë këtë thënie emblematike po ky gazetar legjendar.

* Ndërsa unë, pikërisht këtij “padroni” që është lexuesi pra, duke e mbyllur, po i kujtoj se në këtë libër me rreth 300 faqe, janë 20 kapituj të një tematike historike mjaft të gjerë, me 100 fotografi, me emra, skuadra, me ngjarje të paharrueshme, me gjykime, komente e tregime emocionuese. Dhe më kryesorja: ai nuk është thjesht një libër për Sabah Bizin. I kujtoj lexuesit se do të marrë në dorë një libër për Sabah Bizin, por dhe për kohën e tij, për brezin e ngjarjet e tij. Në fund të fundit, siç thotë nëntitulli i kopertinës, ai është një libër për dy dekada histori të futbollit shqiptar. Për më tepër, nga Shkodra në Tiranë, nga Durrësi në Korçë, nga Elbasani në Vlorë, nga Gjirokastra në Kavajë. Pa harruar ngjarjet e mëdha ndërkombëtare, rezultatet e bukura aq sa ata janë arritur. Është një libër që ka një përmbajtje kombëtare, ku sa e sa skuadra e futbollistë protagonistë anë e kënd Shqipërisë do të gjejnë veten e tyre aty. Pa harruar edhe tjetrën, disi jashtë sportive: brezi i ri do të kuptojë jo pak edhe se si ka qenë vetë Shqipëria e asokohe nën Regjim.

– Sidoqoftë, më lejo ta mbyll unë si autor, duke përsëritur që t’ia lemë fjalën gjykimit të lexuesit, duke shpresuar që të kem shpëtuar nga gabimet, lapsuset, apo qoftë edhe nga shtrembërimet e pavetdijshme të ndonjë fakti – çka do të ishte e pafalshme. Të faleminderit.

NAMIK MEHMETI Tiranë-Firence, shkurt 2019

Ky artikull është botuar në “Panorama Sport”