Pogradeci është rikthyer në Kategorinë e Parë dhe ambiciet për tu ngjitur edhe më lart nuk fshihen nga numri një i stolit. Samuel Nikaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” thotë se futbolli nuk është në letër, por ka të papritura. Ai shpreson që skuadra e tij të jetë rivalizuese deri në fund, ndërkohë tregon se për titullarët e sezonit, ka disa balotazhe të forta në kokën e tij.


Përse zgjodhët Ersekën për pak ditë stërvitje?

Afërsia gjeografike pasi kishim punime në stadium, vendosëm të vijmë këtu për disa seanca stërvitore. Do të bëjmë dhe një ndeshje me Devollin për të parë gjendjen e ekipit një javë para kampionatit.

Po punoni për të bërë gati skuadrën për ndeshjen e parë zyrtare të kampionatit, çfarë prisni?

Po, kjo është një provë. Prandaj kemi zgjedhur skuadrën e Devollit, do aktivizoj pothuajse 90% skuadrën që do të luajmë në kampionat, megjithatë deri në minutat e fundit do të ketë dhe ndryshime pasi kemi shumë lojtarë që janë të aftë të luajnë në formacion. Edhe unë ende nuk jam i qartë për 2-3 pika, por baza është e konsoliduar.


Kur thoni 2-3 pika, çfarë keni parasysh?

Janë dy tre balotazhe shumë të forta, në repartin e sulmit, në mesfushë dhe një në mbrojtje.


Më duket se keni shumë lojtarë që po stërviten në Ersekë, a do të ketë të larguar apo do të jenë të gjithë pjesë e ekipit?

Absolutisht, kemi ardhur me një skuadër të plotë, kemi 24 lojtarë dhe 3 portierë. Tri lojtarë janë të rinj, janë lojtarë që mund të them, nga më të mirët në Shqipëri, Sadiku, Kasmollari, Cipra, të cilët bëjnë diferencën dhe në Superiore dhe ne jemi me fat që i kemi. Mund të ketë një ose dy huazime qoftë te Maliqi qofte te Devolli nëse një nga lojtarët kërkon më shumë minutazh.


Po thoni se do të ketë lojtarë që nuk do të marrin shumë minutazh?

Po, normale do të ketë lojtarë që do të kenë minutazh të vogël, ne kemi 24 lojtarë. Normalisht lojtarët e rinj do të kenë një minutazh më të madh për të luajtur. Nëse ndonjë prej këtyre lojtarëve do të ketë dëshirë për t’u larguar unë nuk i ndaloj, pasi ka lojtarë të rinj që kanë nevojë për minuta më shumë.


Që nga ardhja e presidentit të ri, objektivi juaj ka qenë ngjitja në Superiore. Ju vazhdoni t’i qëndroni kësaj?

Normalisht ne e fillojmë si të barabartë, starti është i barabartë për të gjithë ekipet, pavarësisht se disa skuadra kanë investuar më shumë, kjo nuk do të thotë se futbolli është si në letër, ka dhe të papritura. Normalisht midis atij që ka dhe atij që di, unë mendoj që më i favorizuar është ai që di. Megjithatë ne do të hyjmë për të bërë një kampionat duke parë vetëm për lart, për vendet e para. Kampionati është i gjatë, por shpresoj t’i shkojmë deri në fund. Besoj që edhe me ndihmën e Zotit ne do të jemi shumë rivalizues për ngjitjen në Superiore.