Nga Maringlen ZHIVANI
Samuel Nikaj është shumë pranë shkrimit të historisë edhe me një tjetër klub në Kosovë. Trajneri shkodran, i cili është në krye të Prizrenit, është shumë afër ngjitjes së këtij klubi në Ligën e Parë në Kosovë, një sukses shumë i madh ky për këtë skuadër. Në fakt, me Nikajn në krye, Prizreni ka thyer çdo rekord të mundshëm këtë sezon, teksa që nga momenti që shkodrani ka marrë drejtimin e kosovarëve, ka arritur 11-fitore rradhazi në 11-ndeshje.
Tashmë, ata ndodhen në pozita komode në vendin e parë të renditjes dhe u duhet vetëm një pikë për të siguruar matematikisht ngjitjen një Kategori më lart. Padyshim që, merita kryesore është e trajnerit shkodran Samuel Nikaj, i cili me punën kolosale të bërë nga ana e tij, së bashku edhe me stafin drejtues dhe futbollistët, po kryesojnë Ligën e Dytë.
Herë pas here, Nikaj tregohet modest në intervistat që jep për sukseset e tij, ama 11-fitore në 11-ndeshje rradhazi është tregues i një punë të madhe dhe profesionale që trajneri shkodran bën në ekipet që drejton.
Deri më tani, në karrierën e tij si trajner, Samuel Nikaj është shpallur kampion me Vllaznia U-17, dy herë me Vllaznia U-19, kampion në Kategorinë e Dytë me Pogradecin dhe tre herë kampion i Kategorisë së Parë me ekipe si Flamurtari i Prishtinës, Vushtrria dhe Kastrioti i Krujës.(www.shkodrasport.com)