Reali i tij i dhuroi një fitore të pastër 4-0 si shenjë reagimi. Por trajneri i “Los Blancos”, Karlo Ançeloti nuk ka qenë në humor në konferencën për shtyp pas takimit. Në fytyrën e tij ka pasur zymtësi.
Shkak, tre dëmtime, dy në mbrojtje, një prej të cilave shumë i rëndë (Militao). As goleada dhe as paraqitja e mirë e ekipit nuk kanë shërbyer si ngushëllim për italianin. Ajo që i pëlqeu trajnerit ishte paraqitja e bërë nga Vinicius, që kulmoi me tregolëshin e tij të dytë këtë sezon.
Pas golit të tij të parë në pjesën e parë ai vrapoi drejt bankinës për të përqafuar Ançelotin. Italiani pas ndeshjes, i prekur nga akti i brazilianit, ka shpërndarë në rrjetet sociale foton e momentit të përqafimit mes të dyve bashkë me “Të dua, Vini”.
ANALIZA E NDESHJES – “Ishte një ndeshje e mirë, e nisëm duke e kontrolluar mirë, pa u nxituar… Kur hapëm rezultatin me Vinin ishte më e lehtë”.
VINI DHE “TOPI I ARTË” – “Ai është një lojtar që bën diferencën dhe çmimi i munguar nuk ka ndikuar te ai. Gjithçka është si më parë”.
MILITAO DHE ASENSIO – “Ajo që ka ndodhur me Militaon është e pabesueshme. Por nuk kemi çfarë të bëjmë…Rauli (Asensio) ka luajtur shumë mirë, me shumë personalitet. Ne duhet të falënderojmë akademinë për punën që kanë atje. Ai është një lojtar që ne kemi nevojë në këtë moment”.
MBAPE – “Ai ka provuar. Nuk ka shënuar, por ka marrë pjesë në shumë aksione, gjë që është e rëndësishme”.
TREGU I DIMRIT – “Tani nuk ka çfarë të bëjmë, do ta vlerësojmë në muajt në vijim. Deri për festa duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të ecim përpara me çfarë kemi”.