Igli Tare nuk kishte ab solutisht ndërmend që të bëhej drejtor sportiv. Ishte fundi i qershorit të vitit 2008 kur u paraqit në zyrën e presidentit Klaudio Lotito, në “Formelo”, në qendrën stërvitore të të kaltërve, ku shumë lojtarë ishin vënë në radhë për të biseduar kontratat e reja, rinovimet ose jo me kryeqytetasit.
Ishte 35 vjeç dhe ishte duke menduar të tërhiqej, por ajo telefonatë e presidentit e bëri kureshtar. Lotito po kërkonte zëvendësuesin e Valter Sabatinit. Dhe e kishte “nuhatur” se njeriu i duhur ishte gjiganti shqiptar që e kishte befasuar me njohuritë që kishte për futbollin ndërkombëtar. Kështu pra Klaudio Lotito “shpiku” Igli Taren si njeriun e merkatos.
METODAT – Si drejtor di si të veprojë: flet gjashtë gjuhë. Pesë sezone në Gjermani, aty ku njohu edhe gruan e tij, Sandrën. Një rrjet i tërë me kontakte, ku bëjnë pjesë agjentë të besuar dhe ish-shokë skuadre. Por ama, pa krijuar një grup të saktë. Tare preferon të veprojë në autonomi të plotë. Me kalimin e kohës krijon raporte të mira me Mino Raiolën dhe Zhorzh Mendesh, menaxherë të rangut të lartë në arenën ndërkombëtare.
Lidhje direkte me Matija Kezhman, ish-futbollist i shquar i disa klubeve që është sot menaxher i “diamantit” të skuadrës së tij, Sergej Milinkoviç-Saviçit. Ka në fokus vazhdimisht tregun e Europës Veriore, por së fundmi është fokusuar edhe në Spanjë. Studion me detaje Amerikën e Jugut: në Brazil ka kontakte që shpesh i kanë dhënë rezultate befasuese.
Kalon shumë orë duke parë video të lojtarëve, por ama gjithnjë shkon vetë taintereson. Rregulli bazë: cilësi që mund të përmirësohen. Ai duhet të flasë me lojtarët edhe për të kuptuar se çfarë tipash janë. Kur niset për një mision të caktuar, lëvizjet e tij janë gjithnjë të rezervuara dhe pothuajse të fshehta.
TARE
Në plan të parë janë kontaktet personale. Në vitin 2011 bindi Miroslav Klosen që të shkonte te Lacio. Kishin luajtur bashkë te Kaizerslautern. Gjatë asaj vere i sinjalizuan nga Zvicra edhe Senad Luliçin: u pagua 3 milionë euro kapiteni që shënoi golin e fundit në Superkupë e Italisë përballë Juventusit, por edhe golin në finalen e Kupës së Italisë kundër “kushërinjve” të urryer të Romës në vitin 2013. Një vit më parë Tare kishte rrëmbyer Hernanesin nga San Paolo për 9.5 milionë euro dhe më pas ia shiti Interit për 20 milionë euro.
KLOSE
Në vitin 2013 Felipe Andersonin e bleu për 10 milionë euro dhe ia rishiti Uest Hemit për 30 milionë euro. Zbuloi Stefan De Vrijin përpara se të bëhej mbrojtësi më i mirë në botë për vitin 2014. Keita Balde ishte një tjetër kryevepër. Lojtari ishte duke bërë sherr me Barcelonën, Tare e mori për 360 mijë euro dhe më pas ia shiti Monakos për 30 milionë euro, pasi fitoi edhe 5 milionë euro të tjera, duke ia huazuar Interit një sezon përpara shitjes në Francë.
TË BESUARIT E INZAGIT – Kishte luajtur në Kombëtare me Fotaq Strakoshën: Tare pati intuitë me të birin, Thomasin dhe ia lexoi talentin shumë më herët se të tjerët. Në vitin 2015 ftoi Milinkoviçin në Formelo. Doli edhe Fiorentina në skenë, por Sergeji i kishte dhënë dorën Tares.
Ofroi menjëherë 4,5 milionë euro dhe më pas edhe 9 milionë euro për të hequr qafe një përqindje (50%) të Genkut në rast se do të shitej. Tani Milinkoviç vlen 100 milionë… Për 19 milionë euro, ja ku u ble edhe Hoakin Korrea… Për 10 milionë Çiro Imobilen, për 5 milionë Luis Alberton nga Liverpuli. Tani janë të gjithë xhevahire të Lacios. Ashtu si edhe Françesko Açerbi, Manuel Laxarri dhe Lukas Leiva. Luiz Felipe luante me amatorët në Brazil.
Por ka marrë edhe Marko Parolon edhe Felipe Kaisedon. Mes goditjeve më të mëdha janë edhe Lukas Bilia me Antonio Kandrevën. Në 2016-ën ishte meritë e tij që ia besoi stolin Simone Inzagit. “Kurrë mos i shtri këmbët më shumë se jorgani”, është motoja e tij. Kështu Tare e ka pasuruar Lacion me shumë talente dhe ambicie.