Sot është dita e Kombëtares shqiptare, teksa do të luajë një ndeshje ven dimtare në Ligën e Kombeve, atë përballë Izraelit. Si një ish-futbollist i përfaqësueses, Redi Jupi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, analizon situatën në Kombëtare. Ai flet për listën, punën e Edi Rejës, por nxjerr në pah edhe problematikat apo strategjitë e gabuara që drejtuesit kanë ndjekur sipas tij. Ndërkohë ai ka edhe një koment për Superioren dhe futbollin e moshave.

Si një ish-lojtar i Kombëtares dhe një trajner i moshave, si ju duket lista e lojtarëve që Edi Reja ka thirrur për dy ndeshjet e radhës?
Lista është një punë ekskluzive që trajneri bën në tre-katër muaj. Ai paguhet për të përpiluar atë listë me 25-26 lojtarë dhe ata që ka në pritje. Është pak e vështirë, sepse unë kam qenë vetë në detyrë, si trajner i U-21 dhe jam marrë vetë me përpilimin e listave dhe është e vështirë që të ketë objeksione dikush nga jashtë me dy minuta apo gjysmë dite refleksioni, mbi punën e dikujt që e ka bërë për mbi tre muaj. Vetëm nëse në lista ka ndërhyrje, ndërhyrje të jashtme, siç mund të ndodhin herë pas here.

Pse mendoni se ka pasur ndërhyrje?
Ndërhyjnë për interesa apo për të favorizuar njërin ose tjetrin, për ta promovuar një lojtar. Kur ka ndërhyrje të jashtme, që shpesh ka, madje edhe në këtë listë. Kjo është ideja e përgjithshme. Secili nga ne mund të ketë objeksione dhe mund të preferojmë dikë tjetër, por këtu mund të hyjnë edhe politikat, strategjitë, të cilat duhet të jenë të bashkërenduara. Shumë shpesh këto nuk i gjen në një listë lojtarësh. Institucioni i futbollit, i cili ka ekskluzivitetin për të organizuar kampionatin, të mundet që ta promovojë kampionatin dhe në 23 apo më shumë lojtarë që merr, mund të ketë edhe promovim për lojtarët e kampionatit vendës, ata që po bëjnë mirë, sipas roleve që i nevojiten ekipit. Kjo shumë rrallë bëhet, ose kur ata kanë ndonjë interes në ndonjë lojtar, siç ishte rasti i Seferit.

A ka realisht lojtarë kampionati vendës, me aq cilësi sa për t’u thirrur në ekipin kombëtar?
Lojtarë nuk ka, lojtarët gjenden. Duhet të kemi parasysh që nuk është faji vetëm i lojtarëve që ata nuk kanë një matës për të shkuar në ekipi kombëtar direkt. Faji është i të gjithëve, që nga niveli i kampionatit, të cilin nuk e kemi të një koeficienti të tillë që direkt nga kampionati ynë, lojtarët të shkojnë të luajnë me Kombëtaren. Por ky nuk është një problem vetëm yni, ndodh edhe në kampionatin kroat, slloven, maqedonas, që është pak e vështirë. Kjo krijohet edhe nga disniveli që ka ekipi kombëtar krijon si pasojë e cilësisë së lojtarëve që luajnë jashtë, por edhe për koeficientin teknik të kampionatit, që në rastin tonë është kjo e dyta.

Ju bën pak përshtypje që s’thirret një lojtar si Ernest Muçi, i cili po luan dhe po kalon një formë të mirë në Poloni?
Mund të thuhen emra. Ne kemi probleme në repartin e mbrojtjes, kemi probleme me mungesat. Një lojtar mund të ishte Bitri, që po bën mirë në kampionat, pavarësisht nivelit të kampionatit. Hoxhallari nuk është në listë, por edhe Xhixha, mund të thuash edhe ti një emër. Ernest Muçi është një nga ata lojtarët që duhet të ishte. Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Superiores dhe po luan atje me një klub deri diku prestigjioz. Ne kemi marrë lojtarë edhe nga liga shumë më të ulëta në Kombëtare. Rasti i Ernest Muçit është pikërisht mungesa e strategjisë për të çuar një lojtar në nivele të larta. Unë kam qenë i idesë që ka një plan dhe strategji për lojtarët. Vendoset se kush janë lojtarët e talentuar që ne kemi, të gjeneratave të ndryshme dhe çfarë duhet bërë me ata. Ata jo çdo gjë mund ta bëjnë vetë. Muçi mund të ketë një sezon jo të mirë me ekipin e tij dhe ne duhet të bashkërendojmë gjërat për ta ndihmuar atë, që nëpërmjet ekipit kombëtar të forcojë pozitat në klubin e tij. Në momentin që vërtet vendoset që: ky është një lojtar, i cili ia vlen dhe që nesër ky do të jetë e ardhmja e sulmit të Shqipërisë, sepse ai bashkë me Brojën ishin lojtarë të ekipit U19 dhe U-21 dhe afërmendsh do të jetë një nga sulmuesit e ekipit kombëtar A. Kjo politikë me të nuk është ndjekur.

Si i shihni dy ndeshjet e radhës të Kombëtares, por edhe ato që u luajtën në qershor?
Në dy ndeshjet e para kemi bërë keq dhe ka qenë një zhgënjim i madh, bashkë me miqësoren me Estoninë. Ishin ndeshje që na kthyen mbrapa, dhe kemi pësuar ulje dhe ngritje. Ka qenë një proces ngritjeje, pasi është një ekip me moshë mesatare të re, edhe pse mosha mesatare e trajnerit e çon lart, ka një moskoordinim.

Mendoni se ndikon kjo?
Kur t’i ke një ekip të ri dhe mendohet që do të jetë bashkë për 7-8 vite nëpër eliminatore dhe t’i ke një projekt për ta çuar këtë skuadër drejt disa objektivave të caktuar, mbase duhet të jetë edhe dikush në moshë. Por për t’u rikthyer tek ekipi, Kombëtarja ka qenë fillimisht në një proces formimi, që Reja me thënë të drejtën e bëri mirë këtë gjë, pasi u larguan një pjesë e lojtarëve dhe po ashtu u afruan, dhe ekipi kishte ardhur në një stad që priste të shkonte drejt gjërave të rëndësishme dhe ky “black out” që ne patëm në këto tri ndeshje, është i pashpjegueshëm teknikisht. Sepse bëmë dy barazime dhe një humbje me skuadra që janë poshtë nivelit tonë teknik. Shumë poshtë Islanda dhe Estonia, por jo shumë poshtë Izraeli.

Po në lidhje me skemën dhe filozofinë e ekipit kombëtar, ç’mendim keni?
Për hir të së vërtetës, ekipi ka një bosht dhe Reja ka qenë rigoroz në mënyrën se si ka luajtur. Shumë tifozë dhe mbase specialistë, mundohen që t’i ezaurojnë të gjitha problematikat e Kombëtares në një komponent të vetëm. Thonë që: Nuk fituam me Izraelin se ishte problem skema. Ndërkohë që asgjë nuk është ezauruese, por janë 15-20 komponentë. Është interpretimi dhe mënyra se si ti e përgatit ndeshjen. Reja e ka një filozofi dhe është shumë i qartë, por ne nuk na ka shkuar për shtat, sepse nuk kemi fituar në disa ndeshje të rëndësishme si me Poloninë, Izraelin tani apo Islandën atje.

Ndërkohë, në këto dy ndeshje pritet një Shqipëri më sulmuese..
Për mua nuk është se ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Që Reja është një trajner difensiv, kjo është parë. Dhe deri diku unë kam qenë dakord me këtë në kohën e De Biazit apo edhe në kohën e Panuçit, sepse vërtet skuadra jonë me shumicën e skuadrave që luante ishte inferiore teknikisht dhe duhet të jesh i kujdesshëm e të marrësh masa mbi kundërshtarin. Ndërsa në këtë moment që jemi tani, kemi lojtarë që 2/3 e skuadrave të Europës, janë teknikisht në letër më të dobëta se ne. Nuk kanë lojtarë të këtij niveli. Ne kemi 9 lojtarë që luajnë në Serinë A, lojtarë në Premier Ligë që nuk e kemi pasur kurrë përveç momentit që ka luajtur Cana, kemi 2 lojtarë në La Liga, kanë qenë 3 bashkë me Uzunin. Pra, janë shumë lojtarë që luajnë në Ligat më të mira dhe më të forta të botës që mund t’i zgjedhim, pra kemi me çfarë “brumi” ta bëjmë. Më përpara thoshte trajneri im Faruk Sejdini: “Arnonim mbathjet dhe grisnim bluzën ose e kundërta”, ose është ajo sindroma e jorganit të shkurtër që thotë Murinjo, mbulon trupin, zbulon këmbët dhe anasjelltas, ndërsa tani ne kemi komoditetin për t’i bërë gjërat siç duhen dhe nuk i kemi bërë. Ka qenë shumë i kujdesshëm për të luajtur me ekipe inferiore, për të qenë i kujdesshëm në mbrojtje. Kjo nuk na ka pëlqyer, asnjërit, asnjë tifozi, asnjë specialisti. Por nuk na kanë pëlqyer as rezultatet, ky është problemi. Unë mendoj që Izraeli ka mungesa shumë të rëndësishme, pra ai lojtari Solomon që na bëri gjëmën këtu, Zahavi është lënë jashtë për motive teknike të tyre, një mesfushor tjetër ka probleme, pra vërtet kemi ne disa mungesa të vogla, por ata kanë shumë mungesa, kështu që ne duhet të guxojmë. Jemi të detyruar të guxojmë sepse ne s’na bën punë asgjë tjetër përveç fitores në Izrael. Duhet të kemi parasysh diçka, vendi i parë në këtë grup është një detyrim.

Kalojmë pak te Superiorja, si e shihni nisjen e këtij sezoni futbollistik dhe çfarë shije ju ka lënë?
Këtu ka pasur një politikë nga drejtuesit e institucionit të futbollit për goditjen e klubeve të mëdha në gjithë këto vite. Janë goditur sistematikisht, pikërisht ato klube që mund të jenë autonome dhe të pavarura, që pas kaq vitesh duhet të ishin dhe të forta financiarisht. Asnjë nuk është deri më sot. Janë goditur sistematikisht, Dinamo, Partizani, Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Lushnja, Elbasani, Berati. Të gjitha ato qytete që kanë një numër të lartë banorësh. Stadiumet duhet të mbushen në ato qytete që kanë traditë futbolli. Tifozëria është e trashëgueshme në ADN, nga babai te djali, por gjërat këtu nuk shkojnë siç duhet. Këta kanë përdorur një strategji të mirëmenduar, me qytetet e vogla dhe “anonime” e sjellja e tyre në piacën e rëndësishme të futbollit.

Përse ka ndodhur kjo gjë, po klubet nuk kanë pasur asnjë gabim?
Patjetër që kanë pasur. Sepse tani po më duket si ai filmi “Avokati i Djallit”. ‘Nuk e bëra unë, tha ai, unë të tregova rrugën dhe t’i erdhe vetë drejt kësaj’. Patjetër që edhe ata kanë gabimet e tyre, por duhet të kuptojmë që mirë apo keq, klubet e futbollit në të gjitha nivelet janë përmirësuar: në aspektin organizativ, në aspektin e konceptimit të klubit, në përpjekjet financiare që ata bëjnë. Por në këtë moment, ata e kanë tavanin shumë poshtë. Tavani që u vë institucioni i futbollit me drejtuesin e tij të lartë, është shumë i ulët. Sepse në shumë vite, nuk kanë marrë të ardhurat e duhura, në një shpërndarje siç duhet. Çfarë është FSHF-ja? Është qeveria që merr një fond, sepse nuk i kanë paratë e tyre dhe të gjithëve u duket sikur ua bën presidenti fushat. Ato lekë merren nga UEFA dhe shpërndahen në të mirën e futbollit. Ata i shpërndajnë keq për mendimin tim. Këta janë goditur në gjëra thelbësore. Në shumë vite kemi pasur gangrenën e trukimeve që vinte nga lart dhe kjo zbrazi stadiumet. Aktualisht janë bosh, nga fenomeni i trukimeve, i dhunës dhe i ndërhyrjes në garë. Publiku nuk është budalla, e shikon dhe nuk vjen njeri në stadium. Por këto janë të ardhura që nuk u vijnë klubeve, nuk marrin të ardhura nga biletat, nuk marrin nga e drejta televizive, nga fondi i solidaritetit, ose i marrin të cunguara. Kjo është derexheja dhe kënaqen se mbijetojnë. Pas 30 vitesh kjo është sfida, që të jemi gjallë?

Po për atë që kanë shfaqur në fushë, si ju janë dukur ekipet në këto kaq javë të Superiores?
Shikoj që Tirana ka ruajtur njëfarë stabiliteti, dhe ndodhet në vendin e tretë, por duket që ka forcën brenda. Hyn te favoritet kryesore. Edhe Partizani duket më solid se vjet, në mënyrën e lojës, në performancën e lojtarëve dhe ka krijuar një filozofi që mbase mund ta çojë për të rivalizuar edhe për titullin kampion. Po bëjnë mirë këto ekipet e vogla, sepse i goditëm deri tani (qesh), po bën mirë Egnatia, Ballshi, Erzeni, edhe pse është paradoks që një ekip i krijuar për 10 ditë po bën mirë. Ndërkohë që po zhgënjen Laçi, Teuta dhe Kukësi. Nuk pritej të ishin në këtë nivel. Por në fund unë jam i mendimit që duhen t’i lënë të lirë se kush do ta fitojë kampionatin dhe kush do të bjerë nga kategoria, sepse janë edhe shpirtrat në paqe. Por kur të nxjerrin ata me ashensor…

Kujt i referoheni?
Doja ta lidhja me futbollin e moshave. Ndryshon struktura pa asnjë lajmërim. Kjo pastaj është krim dhe për Kod Penal. Unë jam i dëmtuar, por edhe shumë klube të tjera, nga kjo gjë. Football Republic është rrëzuar nga Superiorja me moshat, dy kategori më poshtë, që është e paprecedentë. Është monopol, prishje konkurrence, goditja e investimeve, ndërkohë që futbolli i moshave duhet të jetë i mbështetur. Këta drejtuesit, ku të godasin aty ku nuk janë aksionerë, aty ku nuk janë pjesë kanë një xhelozi dhe hakmarrje të tmerrshme. Shpresoj që të ketë drejtësi, shtet, por që të ketë dhe Zot.

Por disa kanë rënë dakord me këtë reformim, çfarë standardi është ndjekur?
Keni kapur një gjë thelbësore, nëse do të kishte një standard të përcaktuar qartë. Nëse këta do të kishin një kriter dhe të thoshin që ekipet e Superiores do të luanin me moshat e tyre në Superiore dhe asnjë tjetër me status të veçantë. 14 ekipet e Kategorisë së Parë, njësoj me të rinjtë dhe asnjë tjetër. Të gjithë do të ishim dakord. Por nëse kemi ato të Superiores, por kemi edhe ndonjë nga e para, po kemi edhe një me status të veçantë. Duhet të futej Koço Kokëdhima me Apoloninë që ra poshtë, pra ai që është në komisionin e kritereve është vetë aktor. Ai është president klubi dhe bën vetë kriteret, apo njëri që ka akademi dhe është anëtar komiteti e voton. Apo tjetri që është trajner i ekipeve të moshave dhe bën raport që duhet bërë kështu dhe të futet akademia e vet. Është skandaloze.

Nuk ju kanë njoftuar për kriteret që duhet të plotësonit?
I kam takuar të gjithë, Shefin e Garave, Drejtorin Juridik, etj. për të marrë një informacion, dhe zero. “E di komisioni, e di shefi i licencimeve”, thoshin ata. Bënin këtë ping-pongun e zakonshëm, por ua sjelltë jeta ping-pong. Kthehen të gjitha në këtë botë. Është një favorizim për ata që mendojnë se i kanë pas vetes, është goditje nga një shpullë e lehtë për ata që mendojnë se i kanë me vete, por nuk i kanë dhe është linçim e tentativë për t’i shkrirë për ata që nuk janë me këta. Por do t’i ndjek të gjitha rrugët, çfarë përmban ligji, kodi, kanuni, morali, drejtësia. Nuk mund ta lë sepse është një gjë që nuk lihet. Ne i kthejmë gjërat në personale. Janë 15 vite investim dhe në fund të fundit gjithë ky aktivitet, gjithë ky kompleks, ujin te mulliri i tyre e çon, por këta nuk e kanë qejf, sepse edhe ujin duhet ta kontrollojnë se nga ju vjen.