Gjatë vitit të kaluar ka marrë dy vlerësime të larta. Fillimisht si “mundës i shekullit” me rastin e 100 vjetorit të Sportklub Vllaznia dhe më pas “Mjeshtë i Madh” nga Presidenti i Republikës. E kemi fjalën për kampionin e shquar të ekipit shkodran të viteve ’80 Alfred Bardeli.

Përmes një lidhje me emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, ai ka folur për të veçantat e ekipit të Vllaznisë së atyre viteve që dominoi në mundjen shqiptare.

“Vllaznia e mundjes së lirë ka dominuar në këtë sport në vitet ’80 dhe ka qenë ekipi më i mirë në Shqipëri. Kjo erdhi ngaqë përbërja e këtij ekipi ka qënë e shkëlqyer dhe të gjithë ne sportistët kishim një miqësi të madhe me njëri- tjetrin. Kur njëri prej nesh zbriste në tapet për të bërë ndeshje, i gjithë ekipi bënte tifozllëk për të, duke bërtitur për të në mënyrë që ai ta fitonte ndeshjen. Ka qenë një dashni shumë e madhe dhe kjo ishte baza e suksesve tona.

Por të mos harrojmë se një rol të madh për arritjen e tyre ka patur stërvitja shumë e fortë që kemi zhvilluar dhe që ndoshta për sportistët e sotëm është e pamundur për t’u realizuar. Ajo fillonte me krosin e zakonshëm nga pallati i sportit (Ish- Kisha e Madhe) nga Kodrat e Tepes dhe deri në majën e Kalasë, ktheheshin me vrap sërish në pallat të sportit ku vijonte stërvitja duke ba mundje.

Kishim frymë, kishe rezistencë, kishe forcë dhe kur vinte puna për në ndeshje, kundërshtari të dukej asgjë. Ka pasë raste që edhe në borë dhe në shi kemi dalë me ba vrap dhe në fakt kemi qenë të përgatitur si atletë dhe jo si mundës.

Në këtë sukses tonin padyshim që meritë ka patur trajneri jonë Eljaz Ahmeti, por edhe Gjon Leka, njeriu që na ka drejtuar me të rinjtë dhe që na ka dhënë mësimet e para. Për koinçidencë, garën e parë e kam bërë me këtë trajner dhe e kam mbyllur karrierën me të kur ai erdhi tek ekipi i të rriturve në fillim të vitit 1991”- eshte shprehur Bardeli.
© shkodrasport.com