Italia ka qenë gjithmonë një pikë referimi për Shqipërinë dhe Shqipëria ka preferuar gjithmonë që të marrë shembull përtej Adriatikut, si në sport apo kulturë. Dhe për ta vazhduar këtë traditë, duhet që ajo që ndodhi në ndeshjen InterNapoli të shërbejë si një mësim.

Të kuptohemi, jo ajo që ndodhi jashtë stadiumit apo koret raciste në drejtim të mbrojtësit Kulibali. Por, reagimi i ashpër që patën instancat përkatëse në Itali, duke nisur që nga kryetari i Bashkisë së Milanos te presidenti i federatës, te ministri i Brendshëm. Të gjithë bashkë ngritën zërin për ta zgjidhur sa më shpejt këtë problem, në mënyrë që futbolli në Itali të jetë argëtim dhe jo urrejtje dhe “luftë”.

DËNIM KOLEKTIV- OK, është e vërtetë që stadiumi i Interit u mbyll për dy ndeshjet e ardhshme dhe zikaltrit do të luajnë pa tifozë. Deri këtu duket se shembulli që vjen nga Italia, nuk shërben si mësim, sepse në Shqipëri ndodh shpesh kjo gjë. Dhe në Itali pa dyshim që gabojnë për të dënuar të gjithë tifozët, teksa janë shumë pak ata që bëjnë sjellje të pahijshme dhe nisin koret raciste kundër lojtarëve.

REAGIMI I ASHPËR

Duket se dënimi kolektiv është thjesht një nismë paraprake për të ndryshuar shumë gjëra në mënyrën e dënimit të tifozëve. Sepse institucionet u çuan të gjitha me radhë dhe trumbetuan këtë gjë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje.

Do të diskutohet në parlament, do të diskutohet në federatë, por edhe në Ministrinë e Brendshme për të marrë masa si t’i parandalojnë këta tifozë dhe t’i dënojnë në mënyrë individuale. Diçka që nuk ndodh kurrë në Shqipëri. Vetëm media sportive në shumicën e rasteve dhe presidentët e klubeve të dënuara reagojnë kur mbyllen stadiumet.

Por, vetëm kaq. Është bërë një refren që përsëritet javë pas jave dhe nuk ndryshon asgjë. Nuk bëhet debat, nuk ngrihet zëri nga instancat përkatëse për të gjetur zgjidhje. Jemi duke trokitur në vitin 2019 ku teknologjia është një ndihmë e madhe edhe për sigurinë në stadium, prandaj minimalisht në kryeqytet, në “Elbasan Arena” apo në “Loro Boriçi” duhet të identifikohen përmes kamerave personat problematikë që shkaktojnë trazira në stadium.

Ose minimalisht duhet ngritur zëri nga dikush për ta diskutuar se cila është zgjidhja e problemeve. Pra, edhe në momentin më të keq të mundshëm (kur Italia bën dënim kolektiv) ka një mësim për Shqipërinë.