Në ceremoninë e zhvilluar dy ditë më parë në Bashkinë Shkodër, ata të tre janë vlerësuar si trajnerët më të mirë të Sportklub Vllaznia për vitin 2018. Leonat Kola në krye të ekipit të çiklizmit, Bruno Rrotani tek atletika dhe Ermal Kraja tek volejbolli kanë spikatur me paraqitjet e sportistëve të tyre në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë.

Ajo çka është më e rëndësishmja është se të tre këta trajnerë, në prononcimet e tyre janë shprehur se e kanë për nder t’i shërbejnë Vllaznisë. “Të kontribuosh për klubin Vllaznia i cili ka një traditë të shkëlqyer në sportin e çiklizmit, është një kënaqësi.

E rëndësishme është të vazhdojmë rrugën e çiklistëve të shquar në vite të këtij qyteti”- ka deklaruar trajneri Kola. Ndërkohë, trajneri i atletikës Rrotani shton: “Jemi munduar që gjatë vitit 2018 të bëjmë më të mirën. E shpallëm Vllazninë kampione për të 10-tin vit rradhazi ndërkohë që edhe rezultatet me sportistin Franko Burraj kanë qenë vërtetë të larta.

Megjithatë e kemi për kënaqësi t’i shërbejmë Vllaznisë dhe premtojmë të bëjmë më të mirën edhe për vitin e ardhshëm”. Ndërkohë trajneri i volejbollit Ermal Kraja ka deklaruar:

“Nëse unë jam zgjedhur trajneri më i mirë, në rradhë të parë falenderoj të gjithë djemtë e ekipit me të cilët kam patur një bashkëpunim të shkëlqyer dhe jo më kot kanë ardhur edhe rezultatet. Nga ana tjetër, na del për detyrë që këtë rrugë që kemi nisur, ta vazhdojmë deri në fund dhe t’i dhurojmë klubit Vllaznia të tjera trofe”.
© shkodrasport.com