Shkruar nga Endri ÇINARI
Përballja mes Vllaznisë dhe Dinamos pritet të jetë sërish një duel i luftuar, teksa statistikat e gjashtë ndeshjeve të fundit mes dy skuadrave tregojnë një rivalitet të fortë dhe një ekuilibër të dukshëm. Në këto gjashtë përballje, të dyja skuadrat kanë regjistruar nga dy fitore, ndërsa dy takime janë mbyllur në barazim.
Vllaznia ka triumfuar në dy prej këtyre dueleve, në të dyja rastet pa pësuar gol. Kuqeblutë kanë fituar 1-0 dhe 0-2, dy rezultate të regjistruara në kampionat, duke treguar se në përballjet direkte kanë ditur të shfrytëzojnë momentet e tyre dhe të ruajnë avantazhin deri në fund.
Dy takime të tjera mes ekipeve kanë përfunduar në barazim. Bëhet fjalë për sfidën 0-0 në kampionatin e sezonit të kaluar, si dhe për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, e cila përfundoi 1-1. Në të dyja rastet, diferencat kanë qenë minimale dhe asnjëra skuadër nuk ka mundur të shkëputet nga tjetra.
Nga ana tjetër, Dinamo ka dalë fituese në dy përballjet e tjera. Kryeqytetasit fituan 0-1 në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar, ndërsa më pas triumfuan edhe 0-2 ndaj Vllaznisë në duelin e “Final 4”. Dy fitore që konfirmojnë se blutë kanë qenë gjithashtu një kundërshtar shumë i vështirë për shkodranët.
Në kampionat, megjithatë, Dinamos i duhet të kthehet pas në kohë për të gjetur fitoren e fundit në Shkodër. Ajo daton thuajse dy vite më parë, në sezonin 2024-25, kur në javën e 16-të kryeqytetasit fituan me rezultatin 2-3 në “Loro Boriçi”. Për Dinamon shënuan Zabërgja dhe Nani, ky i fundit me dopietë, ndërsa për Vllazninë realizuan Çoba dhe Spahija.
Këto statistika e bëjnë përballjen e radhës edhe më interesante, pasi gjashtë ndeshjet e fundit nuk kanë nxjerrë një dominim të qartë të asnjërës skuadër. Dy fitore për secilën palë dhe dy barazime janë treguesi më i qartë i ekuilibrit, ndërsa historia e fundit në Shkodër i jep Vllaznisë edhe një tjetër motiv për të kërkuar fitoren përballë Dinamos.
Buimi: Gazeta “Shkodrra Sport”


