FAQJA E PARE KRYESORELothar Matthäus kundër rregullave të reja për prekjen e topit me dorë:...

Lothar Matthäus kundër rregullave të reja për prekjen e topit me dorë: Nuk po kuptojmë më asgjë

Debati për interpretimin e prekjes së topit me dorë vazhdon të shkaktojë polemika në Champions League. Këtë herë, në qendër të diskutimeve është episodi i ndodhur në ndeshjen Arsenal–Borussia Dortmund, e cila përfundoi në barazim 1-1, kur topi preku krahun e Viktor Gyökeres brenda zonës së penalltisë së londinezëve.

Arbitri italian Maurizio Mariani vendosi të mos akordojë penallti, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri, pavarësisht protestave të futbollistëve të Borussia Dortmundit. Vendimi shkaktoi reagime të shumta, ndër të cilat spikati edhe kritika e ish-kampionit gjerman Lothar Matthäus.

Fituesi i Topit të Artë nuk e fshehu pakënaqësinë për interpretimin aktual të rregullit të prekjes së topit me dorë, duke e konsideruar episodin një penallti të qartë.

“Për mua ishte prekje e topit me dorë, një prekje e qartë. Më pas arbitrat diskutojnë, përpiqen të shpjegojnë dhe justifikojnë vendimin. Por një ose dy vite më parë, prekje shumë më të dukshme të topit me dorë se kjo ndëshkoheshin rregullisht. Nuk po kuptojmë më asgjë”, deklaroi Matthäus në emisionin “Lothar legt los” të BILD.

Ish-kapiteni i Gjermanisë theksoi se nëse njerëzit që ndjekin futbollin çdo ditë nuk arrijnë të kuptojnë interpretimet e arbitrave, atëherë për tifozët situata bëhet edhe më e vështirë.

“Kur nuk arrijmë ta kuptojmë ne, me Nikon që është çdo ditë në fushë dhe mua që merrem me futbollin çdo ditë, për tifozët është edhe më e vështirë”, shtoi ai.

Matthäus shprehu gjithashtu mirëkuptimin për zemërimin e trajnerit të Dortmundit, Niko Kovaç, i cili reagoi pas ndeshjes ndaj vendimit të arbitrimit.

“Edhe unë nuk arrij ta kuptoj më. Vazhdimisht pyes veten: Çfarë është bërë tani një prekje e topit me dorë?”, u shpreh legjenda gjermane.

Reagimi i Matthäus vjen pas deklaratave të drejtuesve të Borussia Dortmundit. Drejtori ekzekutiv Lars Ricken, në një prononcim për Sky pas ndeshjes, e cilësoi episodin si një penallti të pastër.

“ Ishte një penallti e qartë. Topi nuk ishte devijuar”, deklaroi Ricken, duke shprehur pakënaqësinë e klubit gjerman për vendimin e marrë në Londër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments