Vllaznia U17 ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë ndaj Dinamos luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kuqeeblutë e drejtuar nga trajneri Florind Bardulla kanë triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj djemve të trajnerit Arjan Pisha.
Kuqeblutë kanë shënuar nga një gol në secilën pjesë loje. Në të parën, ka qenë pikërisht mbrojtësi i djathtë Regis Sukaj i cili ka shënuar golin e avantazhit. Ai ka ndjekur një aksion të skuadrës së tij dhe ka gjuajtur saktë duke e dërguar topin në rrjetë. Pjesa e parë do të mbyllej 1-0 për Vllaznia U17.
Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 62-të arbitri Hamiti ka akorduar një 11-metërsh për Dinamon, por gjuajtja e Isufit është grushtuar nga portieri Rei Shpuza që mbajti kësisoj të paprekur portën e tij.
Shtatë minuta para fundit, pas një goditje këndi përr shkodranët, topi goditet me kokë fillimisht nga Gjeka dhe më pas është shtatëlarti tjetër Nikolas Gjoni që e dërgon po me kokë në rrjetë. Në këtë mënyrë i gjithë takimi u mbyll me fitoren e Vllaznia U17 në shifrat 2-0. Me këtë fitore ekipi shkodran ngjitet në kuotën e 20 pikëve dhe kryeson renditjen bashkë me ekipin e Teutës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


