Besëlidhja mori një fitore me shumë vlerë ndaj Ilirisë kryesuese dhe me atë trepikësh lezhjanët kanë mbetur në lojë sa i takon pretendimeve të saj. Ky sukses erdhi me përmbysje pasi ishin fushë- krujasit që shënuan të parët, por më pas erdhën dy golat e lezhjanëve, madje ai i fitores në minutën e 93-të.
Pas kësaj ndeshje dhe triumfit të skuadrës së tij, ka folur për mediat trajneri Mirel Josa i cili e ka vlerësuar së tepërmi këtë trepikësh, edhe për mënyrën si u arrit.
“I kënaqur jam në përfundim të takimit, pasi në fund të fundit luanim për tri pikët. Skuadra nuk është se nuk u mundua në pjesën e parë, pasi krijoi sulme të rrjedhshme, por u ndëshkua pas një rasti shumë naiv nga ana jonë. Kështu është futbolli. Pjesën e dytë nuk e nisëm mirë. Në 20 minutat e para nuk luajtëm siç duhet, pasi ishim të tensionuar, por na ndihmoi shumë goli i parë. Kjo fitore padyshim që do të na ndihmojë shumë për ecurinë tonë të mëtejshme në kampionat”, u shpreh Josa pas ndeshjes.
Tashmë, Besëlidhjen e pret një tjetër provë e rëndësishme në nisje të fazës së dytë. Lezhjanët do të presin Kukësin në fushën e tyre, me synimin për të vazhduar me rezultate pozitive dhe për të marrë edhe hakun e humbjes së pësuar në ndeshjen e parë të kampionatit, në “Kukës Arena”.


