Ditën e nesërme do të ngrejë zyrtarisht siparin edicioni i ri 2024-2025 i kampionatit të volejbollit të femrave. Kështu, Vllaznia takimin hapës do ta luajë përballë Pogradecit ditën e nesërme, në orën 12:00.
Vllaznia, që edhe këtë sezon do të drejtohet nga trajnerja Nora Deda, sigurisht që do të futet në takimin e nesërm me qëllimin e qartë për ta fituar ndeshjen dhe për ta nisur mbarë. Përgatitjet e ekipit kanë shkuar ashtu siç duhet dhe tashmë mbetet të konkretizohet me një paraqitje të mirë në kampionat.
Ekipi kuqeblu, përveçse ka ruajtur një pjesë të përbërjes që kishin sezonin e kaluar, kuptohet që ka marrë edhe volejbolliste të reja dhe duhet thënë madje me shumë përvojë. Kështu, te Vllaznia për sezonin e ri janë rikthyer ish-kapitenja Klodeta Zhivani, volejbollistja e njohur Esmeralda Tuci, volejbollistja e talentuar Adma Mikopula dhe është afruar edhe një volejbolliste nga Amerika, pikërisht Taurie Magee.
Me këtë organikë, por edhe me volejbollistet e tjera, vajzat e Vllaznisë do të tentojnë të bëjnë më të mirën këtë sezon dhe këtë fillimisht do synojnë ta bëjnë ndaj Pogradecit, për ta nisur mbarë kampionatin, duke marrë fitoren e parë.
Megjithatë, ndaj Pogradecit, do ta kenë pak të vështirë, pasi është një ekip që është forcuar me volejbolliste cilësore dhe ka pretendime në sezonin e ri. Në bazë të kontigjentit që ka në dispozicion, ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra, objektiv ka vetëm renditjen në katërshen e parë.
Maringlen ZHIVANI