Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-trajneri i shquar i Partizanit dhe i Kombëtares rrëfen edhe se çfarë ndodhi në ndeshjen kundër Benfikës. I kthen edhe një përgjigje therëse edhe Agustin Kolës. “Agustini është një djalë i mirë, i ndershëm dhe ka qenë një sportist i shkëlqyer.

Kjo as nuk diskutohet. Por, nuk është e vërtetë që Partizani ka qenë i preferuari i sistemit monist. Shqipërinë në ato vite e drejtonte Partia dhe Tiranën e kishte Komiteti i Partisë. Xhelil Gjoni bënte namin për Tiranën”, thotë Bajko.

Profesor, në lidhje me sezonin futbollistik të vitit 1989, Perlat Musta thotë që u shpikën disa norma në fazën e tretë të kampionatit enkas për të dëmtuar Partizanin. Ju keni qenë trajner, a qëndron ky pretendim i ish-portierit tuaj?

Edhe mua më ngacmoi titulli i shkrimit dhe deklarata e Mustës, por të them të drejtën arsyeja është diçka tjetër. Deri diku në mendimet e drejtuesve mund të ketë qenë që Partizani është i dënuar dhe nuk kemi pse të kërkojmë që me patjetër të dalë fitues, të fitojë kampionatin.

A kishte atëherë diferencime mes ekipeve? Sepse Kola thotë: “Ne futbollistëve na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës të gjithëve, edhe të Dinamos edhe të Tiranës, jemi ndier të privilegjuar…” Por, thotë edhe që, më i privilegjuar nga të gjithë ka qenë Partizani sepse kishte Presidiumin me vete. A ka pasur diferencime Partizani apo Dinamo që sot quhen ekipe të ushtarakëve ose të policisë?

Absolutisht jo. Ndikimi mund të ishte deri diku kur caktonin ndonjë arbitër kur e shihnin ndonjë ndeshje të vështirë, që duhet ta fitonte. Nëse do të mbahej me hatër, më vjen keq ta them, sepse Kola është djalë i ndershëm, i drejtë, futbollist shumë i mirë, por te ne ka udhëhequr Partia. Nuk ka udhëhequr as ushtria, as Sigurimi. Dhe, në këtë aspekt Tirana ishte më e favorizuar nga të gjithë ne.

Pse?

Sepse ishte Komiteti Partisë i Tiranës që e kishte në varësi ekipin e Tiranës, që e ndihmonte e interesohej. Xhelil Gjoni, kryetari i Komitetit të Partisë, e ndihmonte shumë Tiranën. Zëvendësministri i Brendshëm Hysen Shaho ka ndihmuar Dinamon sa s’bëhet. Problemet ua zgjidhte, i mundësonte lojtarët e rëndësishëm që kërkonte ekipi.

Ai ndërhynte dhe ua merrnin futbollistët ekipeve të tjera. Në këtë aspekt flas. Ndërsa unë mezi kam marrë tre ushtarë në ekip. E kërkova që në fillim këtë dhe isha entuziast se me të rinjtë do ta bëja Partizanin.

Tani mund të them se ishte një mendjelehtësi imja profesionale për të ndërtuar Partizanin vetëm me të rinj. Por mua më thuhej: “Kemi orientim sa më pak ushtarë, kemi orientim sa më pak lojtarë t’ua marrim ekipeve të tjera…”. Atëherë kam ngulur këmbë vetëm për tre lojtarë, për Lefter Millon, Besnik Bilalin dhe Astrit Ramadanin.

Partizani këta tre lojtarë ka pasur të huaj dhe ushtarë në atë kohë. U bë një rifreskim i ekipit dhe mora 22 lojtarë të ekipit të të rinjve, që i stërviste Besnik Çela. Siç ishin të gjithë, pa lënë asnjë, edhe pse e dija që ndonjë nuk kishte prirje për të rritur aftësitë, unë i mora të 22 ata.

Ideja ime ishte që tani Partizani do të funksionojë me fidanishten e vet dhe ia arritëm kësaj. Po të shohësh fotografitë, do të vësh re aty që kemi dy lojtarë, siç ishin Skënder Gega nga Shkolla e Mjeshtërisë Sportive dhe Fatmir Hasanpapa që u thirr ushtar dhe u bë edhe lojtar. Po të shohësh ekipin e parë të ’85-’86, të gjithë janë lojtarë nga të rinjtë e Partizanit.