Klubi i Bylisit bëhet gati të rifillojë sezonin me shpresën që do t’i japë fund një serie që e sheh të mos fitojë një ndeshje në Superiore që nga dhjetori i vitit të kaluar. Por për ta bërë një gjë të tillë, fillimisht Dovedan e sidomos klubit do t’i duhet që të qetësojë lojtarët të cilët janë të papaguar prej kohësh.

Këtë e zbulon një nga afrimet e janarit, mbrojtësi brazilian Vicente i cili ka treguar për mediat në vendlindje se transferimi në Shqipëri ishte kthyer në makth për të.

Ai ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të ballshiotëve, duke treguar se përtej faktit që nuk paguhet, nuk ishte lejuar as të kthehej në Brazil për varrimin e nënës së tij.

“Nuk ka një mënyrë si të shpjegoj këtë ndjesi, është diçka unike ajo e humbjes së nënës. Sapo e mësova një gjë të tillë, kur mamaja shkoi në spital, doktorët thanë që duhej të kthehesha në Brazil.

Fola me presidentin e klubit dhe përgjigja e tij ishte që do të ishte më mire të mos e bëja një gjë të tillë, sepse nuk do të më lejonin. Ai më tha që do të më mbështeste por nuk e bëri një gjë të tillë” ishin fjalët e mbrojtësit 24-vjeçar i cili ka luajtur 6 ndeshje me fanellën e ballshiotëve në kampionat.

Lojtari ka shpjeguar se jetesa në muajt e pandemisë ishte bërë më e vështirë nga fakti se nuk ishte paguar, ashtu si lojtarët e tjerë dhe ishin detyruar që të ushqeheshin vetëm në hotelin e Bylisit. “Federata Shqiptare ka siguruar 250 euro për çdo lojtar, por nuk mjaftojnë për të mbijetuar.

Këtu është një lojtar që ka fëmijë, duhet të dërgojë para në familjen e tij”, tha futbollisti i cili zbuloi gjithashtu se menaxheri e kishte mashtruar kur firmosi për Bylisin.

“Ai më kontaktoi, më bëri një ofertë, propozimi ishte i mirë dhe e pranova. Por kur erdha këtu gjithçka ishte ndryshe. Ai më gënjeu. Është shumë e trishtë, pasi vijmë që të luajmë, të përmirësojmë jetën dhe e shohim veten në këtë situatë.

Jam i mërzitur pasi kjo është ëndrra e çdo lojtari të ri, që të luajë. Nuk më ndodhi vetëm mua. Unë vazhdoj të luaj, të stërvitem. I kam kërkuar klubit të më lërë të lirë pasi nuk e kam mendjen te loja. Mund të luaj, por ndjehem i pamotivuar. Dua të kthehem në shtëpi”, ishte apeli i futbollistit brazilian. /vipsport/