Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia do të kërkojë të bëjë hapin e parë të rëndësishëm sa i takon rezultateve në këtë kampionat, teksa në javën e katërt do të përballet me Laçin. Kuqeblutë vijnë në këtë sfidë me një objektiv të qartë: fitoren. Pas tri javëve të para, ku loja ka ardhur duke u përmirësuar, por rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e paraqitjeve, skuadra shkodrane kërkon të marrë më në fund tre pikët e plota.
Ndeshjet ndaj Skënderbeut, Elbasanit dhe Partizanit kanë treguar një Vllazni që gradualisht po konsolidohet dhe po fiton më shumë siguri në fushë. Megjithatë, ajo që ka munguar deri tani është finalizimi i aksioneve dhe efikasiteti në momentet vendimtare. Pikërisht për këtë arsye, sfida me Laçin shihet si një mundësi e mirë për të kthyer paraqitjet pozitive në një rezultat konkret.
Për kuqeblutë nuk bëhet fjalë thjesht për një tjetër ndeshje kampionati. Tre pikët do t’i jepnin skuadrës qetësinë dhe besimin e nevojshëm për vazhdimësinë, sidomos pas një starti ku pritshmëritë kanë qenë më të mëdha. Një fitore do të ishte edhe një konfirmim se puna e bërë gjatë kësaj periudhe dhe ndryshimet e shumta në organikë po fillojnë të japin efektin e tyre.
Laçi, megjithatë, nuk pritet të jetë kundërshtar i lehtë dhe Vllaznia duhet të tregojë më shumë përqendrim në të dyja fazat e lojës. Përballë një ekipi që di të mbrohet dhe të shfrytëzojë hapësirat, shkodranët do të kenë nevojë për më shumë konkretizim përpara porte dhe qetësi në momentet vendimtare.
Kështu, java e katërt vjen me një mision të qartë për Vllazninë: fitorja. Loja është në rrugën e duhur, por tani duhet edhe rezultati. Kuqeblutë duan të hedhin pas krahëve startin pa fitore dhe të nisin një tjetër kapitull të kampionatit, me tre pikët që do të ishin sinjali më i mirë për vazhdimësinë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


