Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia e këtij viti është një “miksim” mes futbollistëve të sezonit të kaluar dhe atyre të ardhur në merkaton e verës, ku kuqeblutë afruan në skuadër tetë futbollistë. Megjithatë, praktikisht trajnerit Brdariç dhe ekipit deri më tani, i kanë shërbyer vetëm tre afrime, të cilët kanë patur minutazh më të madh dhe ata janë Gurishta, Deliu dhe Qato.
Ndërkohë, pjesa tjetër si Kahrimanoviç, Bajrami, Podrimcaku, Matouti apo edhe Tafili, kanë patur minuta më të pakta në këmbët e tyre me Vllazninë, me dy të parët që kanë munguar edhe si pasojë e dëmtimeve, pasi ata llogariten si dy futbollistë të rëndësishëm në formacionin kuqeblu.
Në fakt, sipas një vëzhgimi të bërë nga “Shkodra Sport”, trajneri Thomas Brdariç në këto gjashtë ndeshje të para të kampionatit, ka aktivizuar 20-futbollistë, ku 12-prej tyre kanë qenë pjesë e skuadrës edhe sezonin e kaluar, ndërsa tetë të tjerë vijnë nga merkatoja. Sigurisht, shumë futbollistë kanë vuajtur nga problemet fizike dhe jo të gjithë kanë qenë të gatshëm.
Nga futbollistët e skuadrës së “vjetër” janë dy prej tyre me minuta të plota, pikërisht portieri Kristi Qarri dhe kapiteni Bekim Balaj, me nga 540-minuta. Kjo listë vijon më tej me Esat Malën, Andrey Yago, Marko Juriç, Milos Stojanoviç, Erdenis Gurishtën dhe Klinti Qaton, të cilët janë parë të jenë deri më tani si pjesë e rëndësishme e ekipit të Brdariç, që i ka aktivizuar si titullarë.
Lista mbyllet me Eslit Salën, që është përdorur si alternativë nga ana e gjermanit, të cilin e ka aktivizuar në të gjashtë ndeshjet e para të kampionatit. Nga afrimet e bëra në merkaton e verës spikasin Erdenis Gurishta dhe Klinti Qato, duke treguar se janë kthyer në një pikë referimi për skuadrën dhe vetë trajnerin gjerman.
Maringlen ZHIVANI