Nga Gjergj KOLA
Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla vazhdon të shkëlqejë në rradhët e ekipit Sassuolo U20. Edhe në ndeshjen e sotme në transfertë ndaj Torinos, 17 vjeçari ka treguar klasin e tij duke shënuar gol dhe duke e ndihmuar ekipin e tij që të fitojë me rezultatin 2-1.
Ka qenë minuta e 29-të kur Kulla ka arritur ta dërgojë topin në rrjetën e portës torineze të mbrojtur nga Siviero. Më pas ka barazuar për vendasit Gabellini në minutën e 59-të me 11-metërsh ndërsa në minutat shtesë të ndeshjes ka qenë Costabile që shënoi golin e dytë për Sassuolon që në këtë mënyrë do të fitonte duke marrë një trepikësh me shumë vlerë.
Goli i sotëm i sulmuesit të kombëtares shqiptare, ka qenë i treti që ai shënon këtë sezon për ekipin Primavera të Sassuolos, duke qenë i dyti në renditjen e golashënuesve më të mirë të këtij kampionati, teksa i pari është Marco Romano i Genoas me 4 gola.
3 gola në 4 ndeshje të luajtura këtë kampionat me ekipin U20 (ndonëse është vetëm 17 vjeç) tregojnë qartë se Gabriel Kulla do ta thotë fjalën e tij edhe këtë sezon duke qenë një nga sulmuesit më të spikatur të këtij kampionati.(www.shkodrasport.com)